KRIZA EKONOMIKE, MODELI EKONOMIK DHE QEVERIA

PAJTIM BELLO

FigurëNëse tre apo katër vite më parë në horizont vërehej formimi i shtjellave të një stuhie, tashmë stuhia e shndërruar në ciklon po godet mbi tokën tonë. Goditjet e ciklonit janë të dukshme, me një intensitet e forcë dita-ditës në rritje. Vite më parë u fol e u paralajmërua se cikloni, me emrin krizë ekonomike, ishte drejtuar për në Shqipëri, madje shpejt do të godiste në brigjet tona. Të shumtë ishin ata që propozuan marrjen e masave për të zbutur efektet e një cikloni të pashmangshëm. Qeveria me kokëfortësi në vend të merrte masa zbutëse e parandaluese, zgjodhi të lëvizë drejt qendrës së ciklonit. Duhet të pranojmë se të gjithë provuam një çoroditje në konstatime, në analiza, në qëndrime dhe në propozime. Shpeshherë u jemi referuar treguesve dhe rrjedhës së ngjarjeve në vendet rreth nesh apo edhe më larg, për të nxjerrë përfundime mbi atë çfarë mund të ndodhte edhe te ne. Përse vallë ka ndodhur kështu? Arsyet janë të shumta në numër dhe të larmishme ne lloje. Ato janë politike, institucionale në formim e pavarësi, strukturore në funksionim e komunikim ndërinstitucional, kulturore si mënyrë e detyrim për të vepruar, të traditës si vijimësi dhe ego profesionale, të transparencës së munguar si komunikim me publikun, të eksperiencës si formim profesional individual e institucional etj. Por mbi të gjitha kjo vjen që ne realisht për dhjetëra vite nuk ia kemi dalë të ndërtojmë një model ekonomik në kuptimin e vërtetë të këtij koncepti ekonomiko-politik, por i jemi nënshtruar një lëvizjeje dhe zhvillimi kaotik. Jemi mjaftuar të themi se kemi përqafuar modelin e tregut të lirë, bazuar në pronën dhe iniciativën private. Por e gjithë kjo a është një model ekonomik apo një sistem politik, shoqëror dhe ekonomik, brenda të cilit konfigurohet modeli ekonomik si një koncept jo statik, por i ndryshueshëm dhe i përshtatshëm në funksion të zhvillimeve ekonomiko-shoqërore në vend dhe në rajon? Deri sot ne ia kemi arritur të përqafojmë sistemin, por jo të ndërtojmë e perfeksionojmë modelin ekonomik. Ne na mungon një model ekonomik, ose le të themi që kemi një antimodel pasojat shkatërruese të të cilit po i ndiejmë të tërë. Është e vështirë ta pranojmë këtë fakt, bile është aq e vështirë saqë shpeshherë kemi dëgjuar qeverinë të deklarojë se kemi një model ekonomik nga më të suksesshmit në botë. Këtij modeli inegzistent i ka atribuuar edhe “shpëtimin” nga kriza ekonomike, duke bërë mburravecin pa ditur të prezantojë kush është dhe çfarë përfaqëson ky model shpëtimtar. Duke u ambientuar me këtë model ekonomik jo egzistent, qeveria dhe institucionet respektive nuk analizuan përse kriza u vonua të legjitimonte veten në Shqipëri dhe çfarë rezervash e mekanizmash do të aktivizojmë për të dalë nga kriza. Qeveria dhe institucionet nuk u shqetësuan të parashikojnë se si do të shfaqej një krizë e vonuar, me çfarë intensiteti do të na godasë dhe në çfarë shkalle do të shfaqen dëmtimet e saj. Me shpresë në mrekullitë afatshkurtra, qeveria shtyn kohën derisa një ditë të pëlcasë e keqja më e madhe. Në këtë ditë qeveria koston e krizës do ta hedhë mbi kurrizin e qytetarëve, pataten e nxehtë do ta lëshojë në prehrin e opozitës, duke menduar të dalë nga vallja pa paguar asgjë dhe të ngrohet në zjarrin e krizës që vetë qeveria e ndezi. Duket se qeveria e ka zgjedhur rrugën e vet, do t’i shkojë deri në fund marrëzisë së madhështisë. Vini re se si qeveria sforcohet të shesë pronën publike në sektorët strategjikë, duke shkelur çdo ligj e duke dëmtuar rëndë interesat kombëtare të sotme e të perspektivës. E gjithë kjo bëhet me qëllimin e vetëm për të bërë një grusht parash sot, sa për të mbajtur hundën e qeverisë mbi ujërat e turbullta që ka shkaktuar cikloni i krizës ekonomike. Qeveria aventuriere nuk mendon për të dalë nga kriza, duke gjetur rastin të ndërtojë një model ekonomik efikas. Asaj i mjafton të trashëgojë pushtetin, duke abuzuar me varfërinë dhe mjerimin që ka pushtuar Shqipërinë. Por a duhet të heshtet dhe të rrimë duarkryq duke pritur të ndodhë çfarë të ndodhë?!… Ndoshta sot, më shumë se kurrë, po shfaqet domosdoshmëria t’i kthehemi një debati serioz e konkret mbi modelin ekonomik që duhet të ndërtojmë. Debati duhet t’i shmanget ndikimit politik, të mos konceptohet si strategjitë e deritanishme voluminoze e të mbushur me ujëra të papijshëm. Të tilla strategji kemi shumë, madje i kemi paguar shtrenjtë dhe ne ende nuk kemi ndërtuar një model ekonomik. Një model ekonomik i dalë nga hiri i kësaj krize, i ideuar e strukturuar nga mendja edhe pasioni i profesionalistëve, do të jetë shpresa e një ekonomie me zhvillim të qëndrueshëm. Shumëkush nuk do të jetë dakord me këto që po shkruaj dhe kjo për arsye e motive të ndryshme. Por me gjithë respektin për Ata, dua t’iu kujtoj disa dukuri gërryese për ekonominë, që janë produkt i mungesës së modelit ekonomik. Mbi 70% e investimeve publike mbështetet në kredi, borxhe dhe donacione të huaja. Kjo ndodh vit për vit, pa u vrarë mendja nëse mund dhe si mund të shtohen burimet financiare brenda vendit. Duket që jemi ambientuar me një raport eksport-import deri 1:12, ku në importe përfshihen edhe mallra ushqimore bazë, të cilat duhet t’i prodhojmë vet, siç edhe i kemi pas prodhuar. Me këto produkte do të përballojmë jo vetëm kërkesën vendase, por do të kemi teprica të ndjeshme për eksport. Më tej dua të kujtoj se pjesa e luanit në të ardhurat e buxhetit realizohet në doganat e vendit ku, në kuptimin e realizimit të të ardhurave të sistemit fiskal, pothuajse realizohet edhe “shitja” e mallrave që futen nga importet. Mund të themi se një nga shtyllat e fuqisë blerëse të konsumatorëve janë të ardhurat nga emigracioni. Mbi të gjitha është mungesa një modeli ekonomik real, ose është ky antimodel i sotëm që ushtron presionin negativ për të rritur borxhin publik në kufij shpërthyes, për të pasur një nivel të lartë të ekonomisë informale, për të mbuluar me harresën qeveritare burimet e pasuritë tona natyrore dhe njerëzore etj… Mungesa e një modeli ekonomik e ka vënë ekonominë nën thundrën e politikanëve, të cilët janë udhëhequr nga ide të momentit, konjunkturale, korruptive e pasionante, por asnjëherë racionale. Kreditë dhe borxhet e shtrenjta janë përdorur në mënyrën më të keqe të mundshme, duke mos gjeneruar asgjë për të ardhmen e ekonomisë apo të paktën për të shlyer vetë kreditë. Në këtë pikë kemi shkuar deri aty sa të marrim kredi për të shlyer kredi dhe këtë marrëzi e kemi duartrokitur si gjetje gjeniale. Një model ekonomik ka rrugë shinash dhe korridore të pashmangshme, ka pasqyra ku reflektohet realiteti, ka pragje që nuk mund t’i kapërcesh dhe korrente erërash që ta heqin jorganin e të nxjerrin lakuriq. Qeveritë e kanë të lehtë të qeverisin pa një model ekonomik, sepse kështu gëzojnë një liri veprimi pa kufizim. Në të kundërt shtyllat, zgjidhjet dhe sjelljet e modelit ekonomik janë afatgjata, kështu që spontaniteti dhe kaosi në drejtimin ekonomik minimizohen. Pa dyshim që modeli ekonomik është shumë më shumë se kjo që mund të thuhet e trajtohet në një shkrim, por ajo që unë dua të them është se ne realisht nuk kemi një model ekonomik dhe patjetër duhet ta ndërtojmë atë. Nëse jo, përpëlitja jonë ekonomike do të jetë e gjatë, do bëhet më e rëndë, vendi dhe shoqëria do të ecin si të verbër e të pashpresë.

Ky zë u postua te I pakategorizuar. Faqeruani permalidhjen.

Lini një koment