Përgjimet, Prokurori mund t’i urdhërojë edhe pa vendim gjykate

Para largimit të Ina Ramës, kalon drafti i ri

Fatjona Mejdini

Prokurori i ri i Republikës mund të ketë fuqi më të madhe në lidhje me përgjimet, nëse drafti i kaluar dje në qeveri do të kalojë në Parlament. Sipas këtij drafti, Prokurori i Përgjithshëm mund të urdhërojë përgjime telefonike në disa raste specifike pa marrë më parë aprovimin e gjykatave. Ky është thelbi i ndryshimeve ligjore që u bënë dje në ligjin numër 9157 për “Përgjimet e Telekomunikimeve”. Kryeministri Berisha, në mbledhjen e qeverisë, deklaroi se ky draft që pritet të kalojë për miratim në Kuvend, ka marrë “bekimin” e të gjitha institucioneve të vendit dhe me specialistët ndërkombëtarë. Por teksa shihet qartë se drafti është i konsultuar me përfaqësues të Prokurorisë së Përgjithshme, Shërbimit Informativ Shtetëror dhe të tjera institucione të pavarura që në vitin 2011, ajo që të bie në sy lidhet me shtesën që së fundmi i është bërë draftit, e cila nuk rezulton të jetë e konsultuar me institucionet apo ekspertët. Bëhet fjalë për shtesën që i bëhet nenit 23 të ligjit aktual, ku Prokurorit të Përgjithshëm i rriten kompetencat për të urdhëruar përgjim nëpërmjet mjeteve të telekomunikacionit. Kjo nismë vjen në një moment, kur Kryeprokurorja, Ina Rama, është në fund të mandatit të saj dhe kur mazhoranca është vendosur që ta largojë në muajin nëntor, për ta zëvendësuar me një person të afërt me koalicionin qeverisës.

Risia

Drafti i ri ligjor i jep të drejtën numrit një të organit të akuzës të urdhërojë përgjime pa pasur nevojë për vendimin e gjykatës. Pra, ndryshe nga çfarë sanksionohet në ligjin që është në fuqi. Është interesant fakti se drafti parashikon termin “për çështje të veçanta”, por nuk detajon se cilat janë këto raste, të cilat lejojnë një përgjim pa miratimin të gjykatave. “Pas pikës 2 të nenit 23, shtohet pika 3. Prokurori i Përgjithshëm, për çështje të veçanta, për nevoja të hetimeve paraprake, sipas procedurave të përcaktuara në nenet 221 deri 226, të Kodit të Procedurës Penale, urdhëron realizimin teknik të procesit të përgjimit nga prokuroritë pranë Gjykatave të Shkallës së Parë dhe nga prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda”, theksohet në draftin e publikuar dje në faqen e internetit të Këshillit të Ministrave. Ligji aktual parashikon në nenin 23 të tij, se “Prokurori i Përgjithshëm ose prokurori i autorizuar prej tij me akt zyrtar bashkëshoqëron dhe komunikon vendimin e gjykatës, i cili regjistrohet në Sektorin e Përgjimeve”.

Kontradikta

Pavarësisht se Kryeministri Berisha deklaroi dje se drafti për përgjimet e telekomunikacioneve ka marrë miratimin e institucioneve shqiptare dhe ekspertëve ndërkombëtarë, kjo gjë ka ndodhur pjesërisht. Nga një vëzhgim që “Shqip” kreu në lidhje me draftin, rezulton se konsultat dhe miratimi i institucioneve dhe ekspertëve është marrë vetëm për pjesën e draftit që nuk përfshin rolin specifik të kryeprokurorit në autorizimin e përgjimeve. Kështu, shtesa e bërë në nenin 23 nuk i është dërguar ekspertëve ndërkombëtarë dhe institucioneve shqiptare për diskutim, por duket se është futur rrugës së tij drejt Këshillit të Ministrave. Gjithsesi drafti pritet të kalojë në komisionet parlamentare, një tjetër filtër i rëndësishëm për sa i përket kontrollit të drafteve që vijnë nga ministritë apo forumeve të tjera.

Kryeministri Berisha e veçoi nga rendi i ditës së mbledhjes së djeshme të qeverisë projektligjin “Për përgjimin e telekomunikacioneve”. Nëpërmjet kësaj nisme, që sipas Berishës ka marrë miratimin e ekspertëve ndërkombëtarë dhe institucioneve në vend, Kryeministri vuri në dukje dhe pasionin e gazetarëve për përgjimet. “Ky ligj është fryt i një bashkëpunimi të gjerë, intensiv, i të gjitha institucioneve të vendit me specialistët më të mirë ndërkombëtarë. Ai sjell standardet e reja në fushën e përgjimit, fushë, të cilën ju gazetarët e keni pasion të madh dhe nëpërmjet tij keni pasur shansin të rrëzoni jo një, por kush e di sa politikanë, për shkak se keni lënë mikrofonin hapur, kur ata flisnin lirshëm. Ligji u përgjigjet kërkesave të luftës kundër krimit të organizuar, kërkesave të transparencës dhe është produkt i një bashkëpunimi të ngushtë të shumë institucioneve”, deklaroi Berisha.

Ky zë u postua te I pakategorizuar. Faqeruani permalidhjen.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s