“Një teatër i keq, për të zgjedhur një drejtor të mirë”

Mirush-KabashiMIRUSH KABASHI – …Edhe unë jam një nga ata që mendojnë se gjendja e teatrit shqiptar në përgjithësi, e ajo e Teatrit Kombëtar në veçanti, është goxha e vështirë (për të mos thënë e mjerueshme). 

Njëkohësisht jam nga ata që mendojnë se kjo gjendje vjen nga menaxhimi i keq, veçanërisht i vlerës artistike të këtij teatri, gjatë një periudhe relativisht të gjatë.

Bie dakord edhe me propozimin, që kjo gjendje duhet ndryshuar urgjentisht… Por…

Jam krejtësisht kundër atyre që mendojnë se përgjegjësia për këtë degradim artistik bie mbi emrat e veçantë të ish-drejtuesve të këtij Institucioni.

Jo! Në gjykimin tim modest, përgjegjësia totale (për këtë gjendje) i takon politikës, e cila, që nga fillimi i demokracisë, la në fuqi, për të mos thënë forcoi ligjin që e vë artin skenik totalisht nën ndikimin e saj.

Argumentoj: Edhe pse konsiderohet si institucion i pavarur, figura kryesore e institucionit (drejtori artistik), propozohet nga ministri i Kulturës (person i rëndësishëm politik) dhe emërohet nga Kryeministri (s’ka nevojë për koment); …Dhe bordi artistik (ish-këshilli artistik) propozohet nga drejtori (i sapozgjedhur me kriteret e forcës politike në fuqi) dhe emërohet nga ministri përkatës (s’ka nevojë për koment). Sqaroj se këto këshilla (apo borde) u bënë vendimmarrëse që në vitin 1988, kur qeveria diktatoriale e kohës, në “kuadrin e liberalizimit”, ia hoqi këtë kompetencë komiteteve të partive dhe ua kaloi këshillave artistikë (siç është përzgjedhja e pjesëve, repertori aktiv, vlerësimet, shpenzimet, etj.) Por…këtu qëndron dhe absurdi…në atë kohë (diktaturë), ky këshill-bord zgjidhej me votim nga vetë artistët krijues të institucionit, ndërsa sot (në demokraci), edhe ky bord-këshill zgjidhet nga drejtuesit politikë të organizmave qendrore shtetërorë?! Aq më tepër, që duke u ndjekur kjo procedurë (propozimi i bordeve-vendimmarrëse nga vetë drejtori), jo rrallë këto borde bien në konflikt interesi. Kjo do të thotë, se mirënjohje për postin dhe zarfin financiar që u ka ofruar drejtori, jo rrallëherë anëtarët e bordit mbyllin sytë karshi abuzimeve korruptive të këtij të fundit… Por më mirë të mos zgjatemi në këtë temë.

Konkluzioni: Është krejt e pamundur (përveç ndonjë përjashtimi që forcon rregullin), që Politika të përzgjedhë objektivisht kandidaturën më të vlefshme për drejtorin artistik, në raport me përzgjedhjen e tij (drejtorit) nga vetë komuniteti artistik i këtyre institucioneve (sigurisht mbi bazën e platformave paraprake, si dhe të votimit të fshehtë)…dhe është antidemokratike dhe e papranueshme që (të paktën) bordet artistike të mos jenë atribut i gjykimit dhe vendimit të komunitetit artistik, të punësuar në këtë institucion.

Këto propozime e sugjerime që ne (si organizatë sindikaliste) prej kohësh ua kemi adresuar niveleve më të larta drejtuese, janë ligjëruar dhe po funksionojnë suksesshëm në zgjedhjen e piramidës drejtuese të institucioneve të tjera të pavarura (universitet, federata sportive, etj.), si dhe po aplikohet si forma më demokratike e frytdhënëse në përzgjedhjen e vetë piramidave drejtuese të partive dominuese, me gjithë diferencat e skajshme kulturore të anëtarëve të tyre. Dhe nuk e kuptoj se me çfarë argumentesh i mohohet kjo e drejtë dhe përgjegjësi komuniteteve artistike, kur dihet niveli i lartë i përbërjes së tyre, si në pikëpamjen arsimore, ashtu dhe atë kulturore e profesionale?

I kthehemi titullit: Do të ishte një iniciativë e guximshme dhe për t’u duartrokitur, që në hapësirën ligjore aktuale, ministrja e Kulturës, kompetencën për zgjedhjen e kandidaturës për drejtor të T.K., t’ia delegonte një komisioni të pavarur, të përbërë prej 5-6 artistësh të afirmuar në fushën përkatëse. Por “e keqja” (teatri) fillon e mbaron, kur kjo përgjegjësi i ngarkohet nga ministrja, tre nëpunësve të dikasterit saj. S’kam as njohje dhe as kontestimin më të vogël për çdonjërin prej tyre.

Në mbyllje: Mendoj se ishte e panevojshme kjo zhurmë e kjo zgjatje, kur në zbatim të ligjit aktual, ministrja e Kulturës mund të bënte të gjithë sondazhin e nevojshëm (mbifamiljar e partiak), dhe pasi të konkludonte për dy kandidaturat e mundshme, t’ia referonte (nëse do t’i nevojiteshin) Kryeministrit, i cili ka të drejtën dhe përgjegjësinë ligjore për të emëruar drejtorin artistik të këtij tempulli të kulturës shqiptare, që quhet TEATRI KOMBËTAR.

E siguroj ministren e Kulturës, Kryeministrin, komisionin (përkatës) të masmedias, si dhe të gjithë deputetët e Parlamentit shqiptar, se do të kenë mbështetjen si dhe respektin e gjithë komunitetit artistik të vendit (besoj), në qoftë se përveç aprovimit të “Ndryshimeve përkatëse në ligjin ekzistues të artit”, do të aprovonin dhe “Statusin e artistit”, këtë manifest artistik të domosdoshëm (tashmë të kompletuar), i cili jo vetëm do të shmangte disa absurditete ligjore (me plot kuptimin e fjalës), por dhe do t’u jepte të gjithë hapësirën e nevojshme talenteve të reja për t’u afirmuar dhe për t’i rikthyer lavdinë e dinjitetin artistik Teatrit Kombëtar, si dhe artit shqiptar.

Gazeta “Shqip
/ Top Channel

Ky zë u postua te ART/KULTURE. Faqeruani permalidhjen.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s