Koço Danaj trondit Ballkanin: Maqedonia të shpërbëhet, Greqia, Serbia dhe Mali i Zi të lëshojnë trojet shqiptare të grabitura në 1913

Koço Danaj trondit Ballkanin: Maqedonia të shpërbëhet, Greqia, Serbia dhe Mali i Zi të lëshojnë trojet shqiptare të grabitura në 1913

Politologu dhe ideatori i Listës për Shqipërinë Natyrale, Koço Danaj, ka trazuar dhe provokuar edhe një herë Serbinë, Greqinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë, shtete të cilat përvetësuan trojet shqiptare falë Konferencës famëkeqe të Ambasadorëve, mbajtur në Londër në vitin 1913. Gjatë një interviste, Koço Danaj ka deklaruar se e vetmja rrugë për paqen në rajon është shpërbërja e Maqedonisë dhe bashkimi i një pjesë të saj me Shqipërinë, siç ishte para vitit 1913. Danaj pohoi ndër të tjera se Konferenca e Londrës nuk është e ligjshme dhe nuk ekziston, ndërsa ka shtuar se gjatë një pasdite, u mblodhën 5 ambasadorë për të pirë çaj dhe copëtuan Shqipërinë. Ideatori i Listës për Shqipërinë Natyrale, ka pohuar se ka ardhur koha për rrëzimin e kësaj konference kriminale, e cila vendosi copëtimin e kombit shqiptar në pesë pjesë. Ai pohoi se pas 100 vitesh, kemi të bëjmë me dy shtete shqiptare, Shqipëri-Kosovë, kemi të bëjmë me gjysmë shteti shqiptar, në Maqedoni, me pakica shqiptare në Luginën e Preshevës dhe Mal të Zi, kemi të bëjmë me një krahinë shqiptare, e cila u dëbua me gjenocid, e cila quhet Çamëri. Danaj shtoi se kufijtë e Shqipërisë janë nga Presheva në Prevezë, nga Durrësi në Shkup. Ndërkaq, Danaj ka nisur edhe mbledhjen e firmave për shfuqizimin e Konferencës së Londrës, nismë e cila ka tërbuar Serbinë dhe Greqinë, ndërsa ka ndezur edhe mediat e Evropës.

– Z. Danaj, sipas jush ku qëndron thelbi i bashkëqeverisjes Rama-Meta?

Në ndryshim nga bashkëqeverisja Berisha- Meta, ku Berisha ishte ai që vendoste për gjithçka, në bashkëqeverisjen PS-LSI, kemi të bëjmë me një qeveri të vetme dhe jo me një qeveri Rama-Meta. Thelbi i bashkëpunimit Rama- Meta është pikërisht, që qeveria do të veprojë si një e vetme. Duke e parë të tillë, unë gjykoj se kemi një kombinim të përvojave të ministrave të zgjedhur nga Rama me ata të zgjedhur nga Meta. Nuk kemi të drejtë të paragjykojmë që ky apo ai, meqë nuk kanë punuar në administratë, nuk mund ta kryejë dot detyrën e ministrit. Të mos harrojmë një gjë!  Meta, kur u ngarkua të ishte kryeministër, ishte 31 vjeç. Ka qenë më i ri se këta ministra që ka zoti Rama. Unë që kam qenë këshilltar i Metës, mund t’ju them që kryeministri Meta e menaxhoi shkëlqyeshëm krizën maqedonase, aq sa partnerët e BE-së dhe të SHBA-së, e konsideruan Metën si një ndër interlokutorët më të mirë të tyre. Do të sjellë shumë ndryshime bashkëqeverisja PS-LSI. Koalicioni Berisha-Meta, ishte një koalicion i panatyrshëm, por që u diktua për hir të stabilitetit dhe integrimit të Shqipërisë. Ndërsa Rama-Meta është një koalicion i natyrshëm, sepse i përkasin së majtës. Vetë politikat që kanë të bëjnë me thelbin e së majtës, ky është ndryshimi i parë. Ndryshimi i dytë, do të jetë, që kemi të bëjmë me një harmonizim më të mirë të dy përvojave qeverisëse brenda së majtës. Kemi të bëjmë me harmonizimin e një përvoje 12 vjeçare të një ish-kryetari bashkie dhe me përvojën e një prej kryeministrave më të suksesshëm, siç ishte Meta 1999-2002. Për të tjerat, le t’ja lëmë kohës sa do të realizohet, sa do të kombinohet, sa do të shkrihen këto dy përvoja në një të vetme dhe sa do ta ndjejnë qytetarët në atë që quhet mirëqenie e tij, punësim i tij, në qetësinë e sigurinë që do ndjejnë, në atë që quhet paqe sociale, në integrimin e shqiptarëve.

-Ende pa u provuar, ka shumë kritika të ashpra ndaj Ramës për përzgjedhjen e këshilltarëve të tij. Këto kritika sa parimore mund t’i gjykoni?

Edhe unë, nëqoftëse do isha në postin e kryeministrit, do të veproja, siç vepron z. Rama,  do ta zgjidhja nga ata që njoh. Rëndësi ka, që duke njohur ata, njeh edhe kontributet dhe aftësitë e tyre intelektuale. Për mua, problemi kryesor është janë apo nuk janë të njohurit e zotit Rama. Duhet të jenë të njohur, sepse kështu ke edhe besimin reciprok, të ndërsjelltë. Ndaj quhet stafi i ngushtë i kryeministrit. Jo rastësisht, kudo, stafi i kryeministrit ikën bashkë me kryeministrin. Në kohën që Meta, në 2002 dha dorëheqjen, erdhi një tjetër kryeministër socialist, Pandeli Majko. Por, i gjithë stafi i ngushtë i zotit Meta, i këshilltarëve të tij, dha dorëheqjen. Një nga ata që dhanë dorëheqjen, kam qenë edhe unë. Dhe z. Majko zgjodhi stafin e tij të këshilltarëve, megjithëse edhe ata që ikën ishin socialistë, edhe ata që erdhën, ishin socialistë.

-Cila është më e rëndësishme në përzgjedhjen e këshilltarëve të kryeministrit? Sa këta këshilltarë do të jenë këshilltarë të kryeministrit, apo do të bëhen porosimarrës. Por nga kjo bashkëqeverisje PS-LSI, a mund të krijohen tendenca konkurrence, meqë kanë të njëjtin elektorat?

Nuk ka pse të krijohet e të ketë konkurrencë. Për mua, më shumë se konkurrencë, do të ketë frymë kohezioni dhe bashkëpunimi, pasi pesha e fitores është aq e madhe, aq e rëndë, sa nuk do ketë kohë për të menduar për konkurrencë. Është koha për të menduar për përgjegjësitë e peshës së madhe. 23 Qershori ishte fundi i tranzicionit dhe kalimi në normalitet.

– Sa vërtetësi mbartin kritikat e shumta për përzgjedhjen e Shkëlzen Maliqit nga kryeministri i ri, si këshilltari i tij për Rajonin?

Zgjedhja e këshilltarëve është atribut kryesor i kryeministrit. Maliqi është një nga intelektualët më të njohur të kombit shqiptar. Jam i prirur të mos merrem me biografinë, sepse te ne shqiptarët, kemi akoma një reminishencë të së kaluarës, ku më shumë shikojmë biografinë dhe jo aftësitë profesionale, intelektuale. Sot Thaçi takohet me kryeministrin serb Daçiç, shtrëngojnë duart, buzëqeshin, dhe askush nuk thotë pse Thaçi takon Daçiç. Sot Jahjaga takohet me presidentin serb, Nikoliç, ish-zv/kryeministër i Miliosheviçit, që bëri spastrimet më të mëdha në Kosovë. Askush nuk thotë, pse e takon atë presidentja e Kosovës. Thuhet se ne sot kemi nevojë të pajtohemi me të gjithë fqinjët, pavarësisht nga e kaluara konfliktuale, që kemi patur, pavarësisht nga krimet që ata kanë bërë mbi ne. Atëhere, përse të mos pajtohemi, përse të mos vlerësojmë ata shqiptarë, prindërit e të cilëve kanë patur funksione drejtuese në x e y vend?! Por këta në këto 20 vjet kanë treguar me shkrimet e tyre, psh, libri i Shkëlzen Maliqit, mbi shpërbërjen e Jugosllavisë, është një nga librat më realistë. Ndaj, emrin e Maliqit nuk e paragjykoj, por uroj që Maliqi aftësitë intelektuale që ka, t’i vërë më mirë në shërbim të çështjes kombëtare, sepse thelbi i politikës rajonale, është çështja shqiptare.  Por, të mos harrojmë se babai i tij, ka qenë njeriu që ka persekutuar shumë kosovarë si ministër i Brendshëm i Miliosheviçit. Më lejoni t’ju them, që në grupin negociator që u bë në Vjenë, krahas Thaçit, e udhëheqësve të tjerë, të dalë nga UÇK-ja, ishte edhe Petro Sorroi, një nga intelektualët më të njohur të kombit shqiptar, por, po të hyjmë përsëri te biografia, është djali i ish ambasadorit të Jugosllavisë, Rexhai Sorroit. Dhe sot në Kosovë ka një çmim të cilët e marrin poetë e shkrimtarë të shquar, me emërin Rexhai Sorroi. Shqiptarët, kudo që janë, të mos merren me të kaluarën e tyre, por të shikojnë vlerat e secilit në interes të konsolidimit të tyre, të realizimit të aspiratave të tyre, veçanërisht, të aspiratës së bashkimit të kombit shqiptar.

– Cili është problemi kryesor i kryeministrit Rama, që të luajë rol aktiv në Ballkan?

Këshilltari mendoj që e ka për detyrë të ndihmojë e këshillojë kryeministrin për të zgjedhur rrugët më të mira.

-Përshembull?

Në çështjet rajonale, qeveria e re nuk duhet të ecë vetëm me një plan, e cila quhet plani A. Kam parasysh kur thonë: “Ne, të gjithë, do integrohemi në BE”. Kjo tashmë është tani një frazë stereotipe, që është përdorur aq shumë, sa është bërë shpesh herë edhe e bezdisur.

– Pse e thoni këtë?

Për faktin që pas pranimit të Kroacisë në BE, duket që BE-ja, minimumi 10 vjet, do stupojë anëtarësimin e vendeve të tjera në BE. Atëhere, në këto kushte, shtrohet çështja: Cili është plani B? E them këtë, sepse kemi të bëjmë me dy shtete shqiptare, Shqipëri, Kosovë, kemi të bëjmë me gjysmë shteti shqiptar, në Maqedoni, kemi të bëjmë me pakica shqiptare, në Luginën e Preshevës dhe Mal të Zi, kemi të bëjmë me një krahinë shqiptare, e cila u dëbua me gjenocid, e cila quhet Çamëri dhe, e gjithë kjo, e vënë politikën shqiptare zyrtare të Tiranës, përballë një sfide të madhe. Që të hartojë planin B, si do veprojë në rastin e një situate, që mund të krijohet në Maqedoni, ku emri mund të përdoret si pretekst, por nuk është emri ai që pengon Maqedoninë, por është pretekst, që fsheh diçka tjetër. Pra, cili është plani B i qeverisë shqiptare? Cila është strategjia e këtij plani B për Maqedoninë? Cila është strategjia e planit B për Kosovën? Cila është strategjia e planit B për Çamërinë? Cila është strategjia e planit B, për Luginën e Preshevës? Cila është strategjia e planit B për shqiptarët e Malit të Zi? Sa kohë kemi dialog, kemi tavolinë bisedimesh. Sa kohë kemi tavolinë bisedimesh, nuk shkohet vetëm me një plan, siç ka vepruar politika jonë, deri tani, në shumë raste. Apo me deklarata nacionaliste, që hidhen sa herë që ka nevojë politika e shfrytëzohen për konsum elektoral. Tani ka ardhur koha, që politika shqiptare, sidomos e Tiranës, edhe në çështjet rajonale të piqet, brenda suazës së Kushtetutës, duke hartuar jo vetëm një strategji, por duke i patur 2, 3 ,4 strategji në tavolinë, për t’i përdorur nesër në tavolinë, në çdo rast, në çdo situatë që do krijojë. Të jemi parashikues, e parandalues të ngjarjeve. 

– Cili duhet të jetë prioriteti i qeverisë Rama në Rajon?

Prioriteti i parë i qeverisjes Rama, duhet të jetë që kombi shqiptar nuk mund të jetë më zjarrfikës i Rajonit, i krizave rajonale, por është paqebërësi kryesor i tij. Kjo frazë kërkon një strategji të plotë për ta formuluar, për ta patur në sirtar, që nesër, kur të tjerët ta provokojnë një vatër krize, ne të mos gjendemi të përgatitur e të themi: “Të shkojmë ta shuajmë”. Përkundrazi, duhet të jemi paqebërës. E që të jesh paqebërës, duhet të kesh strategji.

-A është Shkëlzen Maliqi, personaliteti që gëzon mbështetjen dhe reputacionit tek shqiptarët e Rajonit, në mënyrë të tillë që të jetë katalizatorim ose ndërmjetësi i tyre me kryeministrin Rama?

Nuk ka asnjë shqiptar që të marrë 100 % të votave të gjithë shqiptarëve të Rajonit. Kemi pranuar pluralizmin politik. Sa kohë që pranojmë pluralizmin politik, kemi pranuar edhe mendimin ndryshe. Por kjo nuk do të thotë që, duke pranuar mendimin ndryshe, të mos harrojmë që, kur veprohet në emër të kryeministrit dhe kur përcjell vërtet mesazhe që duhen, atëherë, për mua është shumë e lehtë për ta luajtur këtë rol. Roli luhet jo se kë njeri çon, për të bërë muhabet, përkundrazi, roli kryhet, kur ti çfarë mesazhesh i ke përcjellë bashkëbiseduesit. Kur mesazhet janë të tilla që i shërbejnë çështjes shqiptare, dhe  të jeni i sigurtë, që jo vetëm zoti Maliqi, por kushdo tjetër, do ta kryejë këtë detyrë.

-Ju, z. Danaj, si kryetari i Listës për Shqipëri Natyrale, keni filluar të mblidhni nënshkrime nga shqiptarët që përkrahin idenë e bashkimit të «Shqipërisë Natyrale» dhe këtë listë do t’jua dorëzoni qeverive të shumta, përfshirë atë gjermane, britanike, austriake etj. Kjo iniciativa juaj politike, është bërë e njohur për politikën e dy shteteve shqiptare?

Po e nis nga fundi. Është bërë shumë e njohur për disa arsye. E para, që kur doli platforma e Shqipërisë Natyrale, në promovim morën pjesë mbi 40 deputetë nga të gjitha trojet shqiptare, që nga Presheva, Mali i Zi, Kosova, Maqedonia, kryetarë e drejtues të të gjitha partive politike. Tashmë dihet edhe nga politika e Tiranës, edhe nga politika e Prishtinës, edhe nga politika e Shkupit që ekziston Lista për Shqipërinë Natyrale dhe ekziston edhe Shqipëria Natyrale si nocion, që do të thotë: Shqipëria në kufijtë e saj natyralë. Që do të thotë akti juridik i Kuvendit të Vlorës më 28 Nëntor 1912, që përcaktoi kufijtë e Shqipërisë, nga Presheva në Prevezë, nga Durrësi në Shkup. Të gjithë politikanët e sotëm shqiptarë e njohin këtë akt juridik, derisa e festuan me madhështi 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë Natyrale.

-Cilat janë përpjekjet tuaja, si Lista për Shqipërinë Natyrale?

Kanë të bëjnë me atë që ne nuk kemi pse të rrimë duarkryq, kur të tjerët kërkojnë të drejtat e tyre. Ajo që do të përbënte shqetësim, është se përpjkjet tona janë rrugë paqësore. Domethënë, diplomacia e fuqive të mëdha, ka 2 vjet që është njohur me një material 25 faqesh, ku argumentohet pse duhet anulluar Konferenca e Londrës në 1913. Nga materialet që ne kemi në dispozicion, ajo konferencë nuk ka qenë. Ajo ka qenë një takim pasdite, që siç thotë Eduard Grej, në kujtimet e tij, mblidheshin, ai me pesë ambasadorë të tjerë të fuqive të mëdha të asaj kohe, nga ora 16-19, pinin çaj dhe vendosnin se cilat troje shqiptare do t’ia jepnin Greqisë, Malit të Zi e Serbisë, duke i trajtuar trojet shqiptare si plaçkë lufte. E, akoma më shumë, duke i trajtuar shqiptarët, si myslimanë, e trojet shqiptare, si troje myslimanësh, e, njëkohësisht, duke i trajtuar aleancën Serbi- Bullgari- Mali i Zi-Greqi si aleancë të krishterë. Dihet tashmë një gjë: Ajo që quhet Konferencë e Londrës, vetëm një vendim mori të saktë. Nuk mbajti asnjë proces-verbal. Që këtu shtrohet pyetja. E gjithë kjo literaturë që na është shkruar për Konferencën e Londrës, ku bazohet? Kur ata që i morën ato vendime, nuk kanë lënë asgjë të shkruar?! Ku i gjetën vendimet? Si u ndanë kufijtë e Shqipërisë? Kur vetë Eduard Grej në kujtimet e tij thotë: “Ne nuk u mblodhëm më, askush nuk na falënderoi, nuk bëmë asnjë foto lamtumire, nuk përcaktuam asnjë gjë, bile nuk përcaktuam as kufijtë e shtetit shqiptar”. Kur vetë Pol Kambon, ish ambasadori i Francës, në librin e tij thoshte: “Korrespodenca” vëllimi i tretë, lidhur me këtë çështje shkruan që “Ballkanikët tanë ikën, por mbeti pa u zgjidhur çështja më e rëndë, kufijtë e shtetit shqiptar”. Duke shtuar edhe faktin tjetër, që, pa thënë se janë anuluar, bashkësia e shteteve të mëdha sot, ka anuluar 2 konferenca më të mëdha se ajo e Londrës, Versajën dhe Jaltën. Thelbi i Jaltës ishte copëtimi i Gjermanisë, pas Luftës së Dytë Botërore. Gjermania u bashkua, pa u thënë se u anulua konferenca e Jaltës. Duke u bashkuar Gjermani, kjo de facto është anulim i Jaltës. Versaja i mori pavarësinë Malit të Zi, e cila krijoi mbretërinë Serbo-Kroato-Sllovene. U shpërbë Jugosllavia dhe u krijuan shtete të pavarura. Nuk u tha, që u anulua Konferenca e Versajës, por u anulua de facto.

-Cili është konkluzioni që del nga kjo praktikë ndërkombëtare e ditëve tona, për vetë kombin shqiptar?

A nuk kanë të drejtë edhe shqiptarët të thonë: Ne nuk kërkojmë anulimin e Konferencës së Londrës, sepse ka një keqkuptim. Ose një keqdashje. Edhe në rajon, por edhe në Tiranë, ka disa që thonë: Si do anulohet Konferenca e Londrës e 1913-s? Nuk kërkon njeri që të dalë Brukseli apo Uashingtoni e të bëjnë deklaratë se anulojnë Konferencën e Londrës së 1913-s. Anulim do të thotë: Lejo shqiptarët të bashkohen në një shtet, siç lejove gjermanët të bashkohen, siç lejove malazezët të bashkohen! Se përndryshe do kemi dy standarde të zbatimit të së drejtës ndërkombëtare të vetëvendosjes së popujve! Një për kombet e mëdhenj, e një tjetër për kombet e vegjël. Do kemi dy standarde. Një për kombet që kanë popullsi të krishterë, e një për kombet që kanë popullsi shumicë myslimane, siç është rasti i popullit shqiptar. Atëhere, flasim për demokraci, apo për racizëm fetar?

-Shqipëria Natyrale, ku ndryshon me termin “Shqipëria e Madhe”?

Shqipëria e Madhe, e para është një apelacion nazisto-fashist, që lindi pas marrëveshjes Çiano- Ribetrop të tetorit të 1941-it, pasi ishte pushtuar i tëri Ballkani. Sipas kësaj marrëveshjeje, u vendos që një pjesë e trojeve shqiptare, si Presheva, Bujanovski, Kumanova, Kaçaniku, t’i jepeshin Bullgarisë së Madhe. Veriu i Kosovës t’i jepej Serbisë. Pjesa tjetër u quajt Shqipëria e Madhe. E para, nuk është Shqipëria e Madhe në kufijtë e saj natyrorë. E dyta, wshtë një apelacion nazisto-fashist. Ndërsa Shqipëri Natyrale, do të thotë, qw Shqipëria të jetë në kufijtë e saj natyrorë, të cilën e shpallën zyrtarisht, me akt juridik ata 40 burra në Kuvendin e Vlorës, më 28 Nëntor 1912. Vetë përbërja e qeverisë së Vlorës, ku përfshiheshin gjithë përfaqësuesit e trojeve shqiptare, të Shqipërisë Natyrale, është domethënëse e shprehëse e aktit juridik të Pavarësisë së Shqipërisë së Madhe. Dhe këtë akti juridik të Nëntorit 1912 nuk është çështja që Fuqitë e Mëdha e diskutuan dhe e hodhën poshtë. Përkundrazi! Nuk e mori fare parasysh, nuk e injoroi. Ne kërkojmë një të drejtë, si çdo komb tjetër. Që hajdeni, të ulemi e ta diskutojmë. Nëse ky akt juridik, ju, bashkësia ndërkombëtare, nëse keni dokumente, le ta hidhni poshtë dhe ne le të pranojmë këtë Shqipëri artificiale që është sot. Por, nëse argumentet janë në favorin tonë, atëherë, do të na jepni ne, shqiptarëve të drejtë. Eduard Grej thotë në kujtimet e tij: “Ne i copëtuam kufijtë e Shqipërisë me të drejtën e forcës të së madhit, mbi të voglin”. Sot jemi në një kohë tjetër e flasim me forcën e së drejtës, forcën e argumenteve. Për forcën e fakteve. Ndaj bashkësia ndërkombëtare duhet ta lejojë Shqipërinë Natyrale, dhe ta ketë të qartë, që vetëm kjo Shqipëri Natyrale e qetëson dhe e stabilizon paqen në Ballkan. 

-Shqipëria Natyrale, ku ndryshon nga nacionalizmi shqiptar?

Ndryshon shumë, për të mos thënë, që është e kundërta. Shqipëri Natyrale do të thotë europeistë. Do të thotë mentalitet progresiv. Nacionalizmi është e kundërta e Shqipërisë Natyrale. Shqipëri Natyrale është e drejta e viktimës për të kërkuar të drejtën e tij, për të kërkuar thelbin e lirisë së tij që është vetëvendosje mbi trojet e tij. Ndërsa nacionalizmi ka të bëjë me dukuri, me fakte të cilat përbuzin fqinjët, të cilat urrejnë fqinjët, të cilat përçojnë fqinjët. Shqiptarët nuk kanë qenë kundër nacionalistë në dëm të fqinjëve.

-Pse Shqipëria Natyrale është kyçi i stabilitetit të paqes në Ballkan?

Kombi shqiptar nuk mund të jetë më zjarrfikës i vatrave që mund të krijohen në rajon, por është paqebërësi në rajon. Kur filloi lufta e UÇK-së, gjithë bashkësia ndërkombëtare erdhi në Tiranë duke sugjeruar që të merreshim vesh, që të mos e kalojmë cakun, etj. Ndodhi kryengritja e shqiptarëve në Maqedoni, përsëri Tirana zyrtare luajti një rol kryesor. Sa herë krijohen probleme në Preshevë e Mal të Zi, sërish ndërkombëtarët i drejtohen Tiranës. Pra, bashkësia ndërkombëtare na mban në rolin e zjarrfikësit. Në fakt, duhet të ndodhë e kundërta. Ne të jemi paqebërësit. Shqipëria Natyrale është kyçi i paqes në Ballkan, sepse është paqësore. E dyta, sepse kërkon dialogun. E treta, është se shumica e shqiptarëve beson se bashkësia ndërkombëtare e ka seriozisht që zgjidhjen e problemeve e ka nëpërmjet rrugës së paqes, e duke qenë kështu, realizimi me anën e paqes, më vonë do të vijë vetëm nëse shqiptarët jetojnë në kufijtë natyrorë të tyre, Ballkani u quajt “fuçi baruti” për faktin e boshtit famëkeq Beograd-Athinë. E ky bosht famëkeq, edhe në mënyrë figurative, thyhet kollaj. Pra, i krijon lehtë vatrat e krizës ballkanike. Ndërsa ne kërkojmë trekëndëshin Tiranë-Athinë-Beograd, e cila është shumë herë më solide, e cila mban shumë herë pesha më të rënda, sesa boshti Beograd-Athinë. Ballkani sa herë ka kriza, i përcjell këto në troje shqiptare. Greqia është në krizë, tendencat e diplomacisë e politikës grekë është që krizën ta përcjellë në Himarë, në Përmet, për të tërhequr vëmendjen e ndërkombëtarëve nga kriza e Athinës. Boshti Tiranë-Athinë-Beograd, problemin e krizave nuk do ta zgjidhë nëpërmjet përcjelljes së krizave, jo mbi thënien e “dobiçit në derë”, por mbi bazën e dialogur e të reciprocitetit të fqinjësisë së mirë të popujve.

-Si e kanë pritur këtë iniciativën tuaj, PS, PD dhe partitë kryesore të Kosovës dhe partitë shqiptare në Maqedoni?

Zyrtarisht, nuk ka deklarata, dhe zyrtarisht ka folur vetëm Berisha për Shqipërinë etnike, por këto kanë qenë vetëm deklarata. Në heshtje, shumica e politikanëve shqiptarë, janë dakord. Zyrtarisht, akoma ka një stepje për ta pranuar. Ka, veçanërisht në Kosovë, një frymë më të madhe për ta pranuar, nga të gjitha partitë politike. Sa kohë që në Kushtetutën e Shqipërisë e drejta e bashkimit të kombit shqiptar konsiderohet e ligjshme, për aq kohë, të gjithë, edhe po të mos duan, janë të detyruar ta përkrahin. Për sa kohë që forma më e lartë e patriotizmit sot në botën demokratike konsiderohet patriotizmi kushtetues, atëherë, ne kemi të drejtë të kërkojmë bashkimin e trojeve shqiptare dhe të gjithë qeveritarët e kanë për detyrë ta mbështetin bashkimin e trojeve shqiptare. Përndryshe, duhet ta ndryshojnë Kushtetutën, përndryshe, duhet ta heqin nga Kushtetuta bashkimin e trojeve shqiptare. Ose, përndryshe, këta qeveritarë duhen akuzuar se shkelin patriotizmin kushtetues.

-Çfarë e pengon Maqedoninë të integrohet në BE, kur thoni se nuk është vetëm çështja e emrit të Republikës së saj?

Emri është pretekst. Po të ishte se seriozisht do të ishte çështja e emrit problemi, psh, me krizën katastrofike greke, do të ishte shumë e lehtë që kancelaria gjermane Merkel, vetëm me një telefonatë që do t’i bënte kryeministrit grek, e t’i kushtëzonte marrjen e ndihmesave të miliardave euro me pranimin e emrit të Republikës së Maqedonisë, të jeni të sigurtë që gjithë grekët do ta pranonin kokulur për 30 minuta Maqedoninë me emrin që ka. Por, zonja Merkel nuk e bën këtë. As SHBA-ja nuk e bën këtë. Duket që bashkësia ndërkombëtare nuk di se çdo bëjë me këtë shtet. Sepse në këtë Maqedoni ka vdekur ajo që e shpëtoi në 2001-in. Ka vdekur marrëveshja e Ohrit. Marrëveshja e Ohrit ishte kompromisi më i madh që bënë shqiptarët, edhe nën ndikimin e trysnisë së ndërkombëtarëve, për të shpëtuar Maqedoninë. Ndërkaq, shovinizmi maqedonas këtë marrëveshje e cilësoi të dyshimtë, e ka hedhur poshtë. Kjo Maqedoni nuk mund të ekzistojë dot më, kështu siç është. Qeveria e Gruevskit nuk pranon t’i konsiderojë shqiptarët të barabartë.

-Për shqiptarët, ka rrugë tjetër?

Po, ka një rrugë tjetër, shumë të drejtë e të garantuar. Shqiptarët e kanë trungun e tyre. Shqiptarët e kanë vendin e tyre. Shqiptarët nuk janë pjesë e Maqedonisë Perëndimore, shqiptarët janë pjesë e Shqipërisë Lindore. Bullgaria nuk i njeh Maqedonisë identitetin, Greqia nuk i njeh emrin, Serbia nuk i njeh Kishën. Përjashto Shqipërinë, e cila gjithmonë, me altruizëm politik, të neveritshëm, absurd, ia njohu të gjitha të drejtat Maqedonisë. Në këto kushte, ka vetëm një rrugë: Maqedonia stabilizohet, kur shqiptarët të shkëputen e të bashkohen me Shqipërinë.

sot-news

Ky zë u postua te I pakategorizuar. Faqeruani permalidhjen.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s