Si e krijoi Princ Vidi medaljen e parë të shtetit shqiptar

“Urdhri Mbretëror i Shqiponjës së Zezë” dhe historia e krijmit të saj. Si ‘pagëzoi’ Vidi dekoratat e para të shtetit shqiptar. 10 vite pas largimit të tij, për vendasit u përdorën medalje nga fuqitë e mëdha.

 

 Mark Brunga dhe Ilir Sinanaj –

Në qytetin e Durrësit është emetuar medalja e parë në historinë e shtetit të ri shqiptar. Ajo i përket emetimit të bërë prej Princit Vidit dhe njihet si “Urdhri Mbretëror i Shqiponjës së Zezë”. Derdhja e sajë është bërë në tre kategori metalesh; në ar, argjend dhe në bronz. Ky urdhër i përket datës 26 mars 1914, kohë kur Princ Vidi ndodhej në ushtrimin e detyrës së tij të ngarkuar nga fuqitë e mëdha në qytetin e Durrësit. Ekspertët e ankandeve në “E-Bay” theksojnë se urdhri ka pesë klasa dhe tri medalje dhe se ai është krijuar me qëllim për dekorimin në rastet e shërbimeve të mira si të ushtarakëve, ashtu edhe të civilëve. Për shkak të sasisë së vogël të tyre, medaljet nuk kanë shume diferenca në çmime dhe vlera e tyre luan vetëm me 20 paund britanikë. Ekspertët vlerësojnë se “Urdhri Mbretëror i Shqiponjës së Zezë”, që i përket viteve 1914, është një medalje e madhe e rrumbullakët me lak për të futur shiritin në nyjen e varëses. Njëra nga anët e medaljes ka të stampuar një shqiponjë me dy krerë, e cila në kthetrat e saja mban simbolin e një rrufeje dhe mbi krye ka një yll me pesë cepa ku shkruhet: Besë e Bashkim. Në faqen tjetër të medaljes ka një kurorë princore me një yll pesëcepësh me shkronjën W të gdhendur bashkë me datën: Me 26 të marsit. Kjo dekoratë u themelua nga Vilhelm Vidi (1876-1951) në 26 mars 1914 menjëherë pasi hipi në fronin shqiptar. Ekspertët vërejnë se Lufta civile e bëri të pamundur qeverisjen e Vidit, ndërsa shpërthimi i luftës botërore i ndërpreu çdo ndihmë nga jashtë. Një rebelim nën udhëheqjen e Esad Pashës pati sukses dhe meqenëse Vidit tashmë i mungonte përkrahja e fuqive të mëdha për shkak të ndërkombëtarizimit të konfliktit të përgjakshëm në botë, ai u detyrua të tërhiqej. Ky Urdhër doli nga përdorimi në 5 shtator 1915 vetëm pas 5 muajsh. Ekspertët deklarojnë për të se “është Urdhri (dekorata) më e rrallë në të gjithë Evropën”. 

Kujtimet e Armstrongut

 Duke u nisur Urdhri i Princ Vidit si dhe nga kujtimet e bashkëkohësve mësohet se janë dekoruar shumë personalitete të asaj periudhe dhe se vargut të të dekoruarve do t’i shtohet edhe Urdhri i Shqiponjës së Zezë, që Princ Vidi i akordoi pas rënies së tij në mbrojtje të Durrësit Kolonelit Thomson, më 15 qershor. Në kujtimet e veta, ish-sekretari i Vidit, Armstrongu ka sjellë edhe shumë burime arkivore mbi dekorimet e me urdhra dhe medalje të ndryshme të shumë personave nga Shqipëria në shërbim të tij, si udhëheqësi mirditor Preng Bibë Doda dhe zyrtarë të tjerë si të huaj në shërbim te Vidit. Këtu flitet për vullnetarët austriake dhe rumunë që kishin shkuar në mbështetje të tij në atë periudhë. Në kapitullin e parë të librit me kujtimet e Armstrongut, paraqitet njëra prej medaljeve prej bronzi së bashku me certifikatën përkatëse me firmën e Marshallit të Pallatit Mbretëror, Sami Bej Vrioni dhe me vulën mbretërore. Sipas studiuesve, që prej largimit të Vidit e der në vitin 1925 nuk mund të behet fjalë më për dekorime nga ana e shtetit shqiptar. Gjatë kësaj periudhe, zyrtarët dhe ushtarakët lokalë janë dekoruar me medalje të akorduara nga shtetet pjesëmarrëse në konfliktin botëror të cilët për momentin kanë operuar në veprime luftarake brenda territorit të vendit tonë. Dekorata pasuese që është emetuar nga Ahmet Zogu ka qenë “Urdhri i Skënderbeut”, i cili u është akorduar rreth 1200 personave.

 Origjina e dekoratës 

Rreth dekoratës së Princ Vidit, studiuesi Filip Rrumbullaku na sjell në vëmendje edhe prejardhjen e kësaj dekorate të lartë. Ai thotë se njëra prej dekoratave të krijuara nga princ Vidi është edhe Urdhri Kalorësiak “Shqiponja e zezë”. Ky emërtim, thekson ai, ku përmendet “shqiponja” dhe “e zeza”, krijon përshtypjen e një lidhjeje me simbolin dhe ngjyrat e flamurit tonë kombëtar. Por ai e vijon argumentin e tij, pas konsultimit të një varg urdhrash kalorësiakë të disa vendeve evropiane në dy-tre shekujt e fundit, se një dekoratë e tillë, po me këtë emër, ekzistonte që prej dyqind vjetësh në Prusi. Ajo, shkruan Rrumbullaku, ishte krijuar qysh në 17 janar të vitit 1701, nga Frederiku i Prusisë. Urdhri doli jashtë përdorimit me abdikimin e perandorit të fundit prusian në vitin 1918. Urdhri “Shqiponja e Zezë” ishte më i larti në Prusi dhe jepej nga perandori për merita të shquara civile e ushtarake dhe u akordohej anëtarëve të shtëpive mbretërore, zyrtarëve më të lartë civilë e ushtarakë dhe figurave të tjera emëruar prej tij. “Princ Vidi e njihte këtë dekoratë dhe mund të hamendësojmë se emri i saj duhet të jetë shfrytëzuar për të krijuar dekoratën e parë të shtetit të ri shqiptar”, thotë Filip Rrumbullaku. Urdhri shqiptar “Shqiponja e zezë” përbëhet nga pesë klasë: “Kryqi i madh”, “Oficeri i madh”, “Komandanti”, “Oficeri”, dhe “Kalorësi”, klasifikime këto të njohura për të gjithë urdhrat kalorësiakë. Po me këtë emër “Shqiponja e zezë”, u krijua edhe një medalje me tri shkallë. Siç shpjegon studiuesi Filip Rrumbullaku “sasia e pakët e prodhimit sidomos për shkallët e larta, dhe përdorimi deri diku i kufizuar edhe për shkallët e tjera, për shkak të kohës së shkurtër të mbretërimit të princ Vidit, e bën sot këtë urdhër mjaft të rrallë. Ndërsa medalja mund të gjendet në mjaft familje shqiptare, me gjithë traditën e pakët të ruajtjes në arkiva personalë e për shkak të persekutimit të familjeve të mëdha apo të mesme gjatë mesit të shekullit XX”. Sidoqoftë ky objekt mjaft i rralle që vjen në vëmendje në 100 vjetorin e themelimit të shtetit tonë, paraqet mjaft interes për studiuesit si dhe një objekt i krenarisë sonë kombëtare.

Shqipëri-Greqi, tensioni i marrëdhënieve në 1914  

Si e përballoi Princ Vidi planin e Megalo-Idesë dhe përpjekja e Esad Pashë Toptanit për rrëzimin e Qeverisë së Vlorës. Ish-kryeministri grek: Me Esad Toptanin merreshe vesh edhe me të holla 

Në pragun e 100-vjetorit të pavarësisë, atmosfera festive që i shkon këtij momenti historik të kombit tonë është disi e munguar. Në këndvështrimin e studimeve historike, në këto 20 vitet e fundit, edhe pse ka pasur risi në metodologjinë shkencore dhe në një akses më të gjerë të materialit arkivor, përsëri nevojitet një punë më e madhe. Megjithatë studiues të rinj, si Dr. Ledia Dushku, japin kontributin e tyre në hulumtimin e analizave të reja të historisë së Shqipërisë. Gjatë një kohe kur shteti shqiptar dhe ai grek nuk po bien dakord për sa u përket kufijve detar, studiuesja Ledia Dushku analizon një periudhë të caktuar të marrëdhënieve shqiptaro-greke. 

Çfarë trajtohet në monografinë tuaj,pra me pak fjalë thelbin e saj?

Sikurse e thotë edhe titulli, monografia trajton marrëdhëniet shqiptaro-greke në një segment të shkurtër kohor, atë të viteve 1912-1914. Ajo vjen si një përpjekje shkencore për të hartuar një histori politike e diplomatike, drejt një trajtimi të detajuar të politikës së Greqisë zyrtare ndaj shqiptarëve dhe çështjes së tyre kombëtare, parë kjo, në vorbullën e marrëdhënieve shqiptaro- greke. Studimi hedh dritë mbi qëndrimet e elitës politike shqiptare në marrëdhëniet me shtetin fqinj jugor, Greqinë. Do të përmendja këtu qëndrimet e Abdyl Frashërit, Ismail Qemalit, Esad pashë Toptanit, Syrja Vlorës e të birit, Eqremit, Faik Konicës, Dr. Adamidhi, etj. Ai trajton e analizon edhe qëndrimet që aktorët e politikës greke kanë mbajtur ndaj momenteve më të rëndësishme të historisë së Shqipërisë në vitet 1912-1914, duke nxjerrë në pah vijimësinë e politikës zyrtare greke ndaj shqiptarëve, çështjes së tyre kombëtare dhe shtetit shqiptar. Luhatjet e politikës greke sa nga qeveria e Vlorës aq edhe nga Pleqësia e Shqipërisë së Mesme e Esad Toptani, me qëllimin e vetëm për të realizuar pretendimet e saj territoriale, në dëm të tërësisë territorial të shtetit shqiptar, është një çështje që ka marrë një vëmendje të veçantë në studim. Reagimi i qeverive shqiptare ndaj politikës aneksioniste greke trajtohet gjerësisht. Spikatin këtu dy momente thelbësore: reagimi ndaj pushtimit të Shqipërisë së Jugut nga ushtria greke në vitin 1912 dhe ndaj mos respektimit të sovranitetit të shtetit shqiptar gjatë viteve 1913- 1914. Gjashtë muajt e ekzistencës së Principatës Shqiptare, që dallohen për intensitetin e lartë të ngjarjeve historike, pasqyrohen gjerësisht në libër. Evidentohen aty dilemat e Greqisë ndaj kandidaturës së princ Vidit, dualizmi i politikës greke në marrëdhënie me Shqipërinë nga njëra anë dhe Fuqitë e Mëdha nga ana tjetër, etj. 

Pse kanë qenë pikërisht vitet 1912- 1914 në qendër të vëmendjes tuaj studimore?

Vitet 1912-1914 përkojnë me krijimin e shtetit modern shqiptar, e si të tilla kanë një ndjeshmëri të lartë në opinionin publik. Nga ana tjetër, janë vite ku nisin të përvijohen linjat kryesore të politikës së jashtme të shtetit të porsalindur shqiptar në marrëdhënie me jashtë në përgjithësi, e fqinjin e tij jugor në veçanti. Sa i përket Greqisë, vitet 1912-1914 treguan se ajo do të vazhdonte t’i përkushtohej zellshëm Megali Idesë, e cila që prej vitit 1844 ishte vijë e politikës së jashtme greke. Ndonëse, ajo kishte deklaruar se ishte e interesuar për themelimin e një shteti shqiptar, të cilin e konsideronte një mik të sinqertë dhe aleat të domosdoshëm, Greqia nuk pranoi asnjëherë zgjidhjen e çështjes shqiptare, nëse ajo cenonte interesat e saj në territoret e pretenduara të Shqipërisë së Jugut, që ajo i njihte me emrin Epir. Në përpjekje për të aneksuar këtë territor, Greqia synoi të pengonte konsolidimin e shtetit të brishtë shqiptar. Ajo u përpoq të pengonte shndërrimin e qeverisë së Vlorës në qeveri kombëtare; të pengonte unitetin e klasës politike shqiptare duke nxitur rivalitetin ndërmjet politikanëve shqiptarë dhe ndihmuar ata që i premtonin Shqipërinë e Jugut; të promovonte nëpërmjet një aktiviteti të gjerë propagandistik paaftësinë e shqiptarëve për vetëqeverisje; ta paraqiste Shqipërinë si një vend në anarki duke nxitur e mbështetur turbullirat në vend; të përhapte njoftime për turbullira fetare dhe për mizori të kryera nga myslimanët kundër të krishterëve. Me qëndrimin që Greqia mbajti ndaj të ashtuquajturës Lëvizje Vorio-Epirote dhe tërheqjes së ushtrisë nga Shqipëria e Jugut, ajo nuk e njohu sovranitetin e shtetit shqiptar dhe e vuri elementin politik shqiptar nën një trysni të përshkallëzuar e të pandërprerë. Qeveritë shqiptare, veçanërisht ajo në kohën e princ Vidit, u angazhuan dhe konsumuan energji të shumta për të përballuar situatën e krijuar në Korçë, “Lëvizjen Vorio-Epirote”, krizën humanitare, refugjatët në nevojë, dhe përpjekjen për të ndryshuar strukturën fetare të Shqipërisë së Jugut. Përvijimi i marrëdhënieve shqiptaro-greke në këto dy vite kushtëzoi edhe në të ardhmen ecurinë e marrëdhënieve mes dy fqinjëve.

 Cilat ishin matrrëdhniet e Esad Pashë Toptanit me Greqinë? 

Esad Pashë Toptani është një nga figurat kryesore në historinë e Shqipërisë në vitet 1912-1914. Ai ishte anëtar i familjes Toptani, një familje fisnike ndër më të pasurat e me influencë në Shqipëri dhe më e madhja në Shqipërinë e Mesme. Ishte i guximshëm, ambicioz, dinak, egocentrik dhe tejet praktik. Ndonëse nuk i mungonte mprehtësia dhe nuhatja politike, mbetej shumë i paqartë në përqafimin e idesë së kombit shqiptar. Në përpjekje për të ngritur një autoritet qeverisës në Shqipërinë e Mesme, të drejtuar prej tij, Esad Toptani hyri në kontakte me fqinjët ballkanikë për të siguruar mbështetjen e tyre, në këmbim të lëshimeve territoriale. Për lexuesin e gazetës suaj, unë po ndalem në kontaktet e shtatorit të vitit 1913, kohë kur Pashai ishte në prag të shpalljes së Pleqësisë së Shqipërisë së Mesme dhe kishte nevojë për mbështetjen e Greqisë dhe të Serbisë. Qeverisë greke iu kërkua mbështetje në të holla dhe ndihmë ushtarake për rrëzimin e qeverisë së Vlorës. Trupat grekë që në këtë kohë mbanin të pushtuar Jugun, duhej të bashkëpunonin me trupat esadiste, në momentin kur këto të sulmonin Vlorën. Në këmbim Esadi premtonte të merrej vesh me grekët për të përcaktuar kufijtë jugorë sipas vullnetit të tyre. Kontaktet mes kryetarit të Pleqësisë së Shqipërisë së Mesme dhe qeverisë greke, u rivendosën në dhjetor 1913. Në dokumentacionin arkivor francez bëhet fjalë për arritjen e një marrëveshjeje mes tyre, diku midis javës së dytë dhe të tretë, të dhjetorit 1913. Ekziston mundësia që të mos ketë marrëveshje të shkruar, sepse siç shprehej vetë kryeministri grek i kohës “me Esad Pashën ishte e mundur të merreshe vesh edhe pa angazhime zyrtare, në mënyrë private, me anën e të hollave”. Marrëveshja ishte e konceptuar në dy pjesë: në të parën bëhej fjalë për bashkëpunimin për rrëzimin e qeverisë së Vlorës; në të dytën prekej bashkëpunimi për zbrazjen e territoreve të Jugut nga ushtria greke, marrjen e tyre në dorëzim nga Pleqësia e Shqipërisë së Mesme dhe përgjegjësitë e saj për t’i njohur popullatës ortodokse në Shqipërinë e Jugut disa “privilegje të posaçme”, që nënkuptonin autonominë. Shpërbërja e autoritetit të Pleqësisë së Shqipërisë së Mesme në prag të mbërritjes së princ Vidit në Shqipëri i ndërpreu përkohësisht projektet me qeverinë greke. Ato do të rifillonin sërish pak më vonë, tashmë me Esad Toptanin si ministër i Punëve të Brendshme dhe i Luftës të Principatës Shqiptare. 

Ky zë u postua te I pakategorizuar. Faqeruani permalidhjen.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s