Koleksionet kombëtare, 500 vjet art pasbizantin

  • Ekspozita e ikonave në Galerinë Kombëtare: nga Shën Mëhilli i Oparit, shek.14 te vitet gjashtëdhjetë me shpalljen e shtetit ateist. Ikonografët e fundit? Vangjel Zengo me të bijat me ekzemplarët e rrallë të pikturimit në llamarinë.
  • Drejtori Shima është për një muze kombëtar të artit bizantin e pasbizantin dhe për heqjen dorë nga fantazia e çmimeve, nga qindra mijë në 1 milion dollarë

Elsa Demo

Galeria Kombëtare e Arteve ekspozon javën e dytë të tetorit rreth 80 ikona përfaqësuese të koleksioneve kombëtare që ndodhen në muzetë e artit ikonografik në Korçë, Berat dhe në fondet e GKA-së në Tiranë. Në sallën e madhe që ka natyrën e një ëhite cube, zë vend një udhëtim 500-vjeçar i artit bizantin por kryesisht pasbizantin. Hapet me “Shën Mëhillin” e Oparit e një anonimi të shek.14 dhe mbyllet me ikonat e familjes Zengo nga Korça që vijnë deri në vitet ‘60. Vangjel Zengo (1877-1938) me të bijat Sofia dhe Andromaqi, piktore që kanë punuar ikona dhe vepra të tyre gjenden si në Muzeun e Artit Mesjetar në Korçë edhe në koleksionet e GKA-së. Zengot kanë kontribut me pikturimin e kishave në Korçë e në Tiranë. Edhe në këto foto shohim një ikonë që Vangjel Zengo e punon në të dy krahët, në material llamarine! 

Drejtori i GKA-së Rubens Shima thotë se u ka interesuar edhe skaji i tjetër, jo i famshëm i artit ikonografik, si Zengot. Është një përpjekje për të sjellë më të mirën e koleksioneve kombëtare duke “konkurruar” me ekspozitën e ikonave shqiptare që është aktualisht në qarkullim në Moskë dhe së shpejti një tjetër në Romë. 

Në ekspozita e Tiranës që do të qëndrojë hapur për dy muja vijnë nga Korça 18 ikona të rëndësishme, nga Berati 26 dhe 36 nga koleksioni i GKA-së (e cila disponon 120 ikona). Bashkë me to, edhe disa pyetje lindin. 

Çfarë duhet të përfaqësojë kjo ekspozitë e artit ikonografik?

Më të mirën dhe më të rëndësishmen që ka ky vend në këtë fushë, që i takon periudhës pasbizantine, shekujve 15-19, por edhe më vonë sepse tradita e pikturimit të ikonave zgjati deri në vitet ‘60. Por periudha më e pasur është në shek. 15-18, kur krijojnë mjeshtrit Onufër, Onufër Qiprioti, Shpataraku, vëllezërit Zoografi, me vepra të mrekullueshme që janë befasuese madje për të gjithë Ballkanin.

Si është konceptuar?

Pasi vëzhguam muzetë e Korçës dhe Beratit, menduam të preknim shkollat më të rëndësishme dhe mjeshtrit e tyre dhe ta përfundonim me traditën që vazhdoi deri në mesin e shek.20 me familjen Zengo, Vangjel Zengo dhe dy bijat e tij, Andromaqi dhe Sofi që e ndanë artin e tyre ndërmjet artit religjioz dhe atij laik. Më 1964 me mbylljen e aktivitetit fetar, merr fund kjo traditë kaq e bukur. Ekspozita fillon me një ikonë të hershme e shek. 14 dhe mbyllet me një realizim nga Zengot.

Si shfaqet etapa e fundit?

Nuk kemi të bëjmë me ikonën tradicionale që funksionon brenda kanuneve të artit bizantin. Prezantimi i dogmës është realist, i ndikuar nga transformimet që ndodhin edhe në vetë kishën e Lindjes, e që reflektohen në provincat e Shqipërisë me një lloj modestie. Për ne ky prodhim ka vlerë të madhe dokumentuese dhe më pak artistike. 

Nga eksponatet e Galerisë me interes janë disa ekzemplarë që tregojnë se si është punuar në fletë llamarinash. Vangjel Zengo pikturon në të dyja anët. Është me interes të shohësh procesin e tij të punës për të arritur te vepra finale. Prandaj i ekspozojmë brenda disa kubeve pexhiglasi. Është një mrekulli që këto elemente kanë shpëtuar dhe janë ruajtur në gjendje shumë të mirë nga Galeria. I ekspozojmë për herë të parë. 

Studimi i artit ikonografik ka mbetur në vitet ’50-’60 dhe kontributi i Viktori Puzanovës apo atyre pak autorëve shqiptarëve, restauratorë e transkriptues sikur nuk është çuar më tej.

E vlerësoj Puzanovën. Falë pasionit të kësaj gruaje ekzistojnë studimet dhe zbulimet e mëdha që ajo ka bërë për artin bizantin e pasbziantin, mbi Onufrin, Shpatarakun, Selenicasin etj.. Sot vërej një mësymje për përdorimin e imazhit të kësaj trashëgimie pa asnjë lloj kriteri. Shumë gjëra janë shpallur me të madhe si e “kuqja e famshme e Onufrit”, a thua jemi një shpikjeje që tronditi artin evropian. Ndonjëherë duket se këto zënë vend tek njerëzit. Njerëzit duan disa fabula të thjeshta në vend të disa të vërtetave historike e shkencore.

Muzetë tona që kanë koleksione të artit ikonografik, në raport me kërkimin dhe studimin janë institucione shumë të vogla. Nganjëherë, në takimet me njerëzit e këtyre muzeve, nuk arrij të kuptoj a kam përpara një studiues apo një hallexhi. Edhe studimet në këtë fushë kërkojnë pasion, mundësi financiare dhe nuk lindin vetvetiu. 

Mendoni që duhet përmirësuar koncepti i ekspozimit të artit ikonografik në muzetë tona? Për shembull Onufri ekspozohet brenda kishës katedrale në Berat duke e identifikuar drejtpërdrejt me artin kishtar?

Kisha katedrale në Berat qëndron shumë mirë si një pikë tjetër turistike për arkitekturën e saj. Muzetë e ikonografisë do të ishte mirë që të ishin jashtë kishave. Por këtu dalim tek nevoja dhe qëllimi për një muze të artit bizantin e postbizantin. Nëse një kishë ka në pronësi veprat e ikonografëve shqiptarë ato duhet të qëndrojnë aty dhe të kthehen në pika të vizitueshme. Ashtu sikurse për të parë një Caravaggio duhet të shkojmë të vizitojmë altarin e një kishe që ai ka pikturuar.

Unë vërej se qytet ku kemi këtë trashëgimi të rrallë nuk jetojnë me këtë të shkuar, nuk ndihen pjesë e kësaj trashëgimie. Nuk di të ketë programe edukimi për shkollat në këto qytete. Njerëzit presin bileta nga fundi i botës për të parë këtë trashëgimi, kurse fëmijët tanë bëhen 40 vjeç dhe nuk hyjnë një herë në muze.

Pra, e quani të nevojshëm një muze të ri?

Sepse për pasuritë që kanë muzetë aktualë, hapësirat i kanë të pamjaftueshme për të ekspozuar koleksionet e tyre që nuk i ndërrojnë ndonjëherë. Kjo lidhet me një vullnet shumë më të madh sesa dëshira e drejtorit. Në një plan më afatgjatë duhet menduar ndërtimi i një muzeu bizantin. 

Kur përpiqesh të ndërtosh një ekspozitë për një trashëgimi që prek pesë shekuj, si në rastin tonë, është komplekse situata. Kjo ekspozitë nuk është shteruese, ajo vetëm pretendon ta njohë publikun me këtë trashëgimi të shqiptarëve si etni brenda perandorisë osmane, një version i hershëm i multikulturalizmit, ku komunikonin mendime, ide, shkolla. Edhe ky art i përcjell këto lloj ndikimesh që vijnë nga shkollat veneciane, greke e deri tek një përzierje e çuditshme me artin oriental, të cilat mjeshtrit e asaj kohe i kanë reflektuar sipas zonës ku kanë punuar dhe njëkohësisht dhe shkollave ku janë formuar. Por një studim më i hollësishëm, do të na çonte në ekspozita të të tjera për autorë apo prirje të veçantë brenda këtij arti.

Këto janë objekte që qarkullojnë në kushte të larta sigurie. Me “sa” sigurohet një Onufër?

Janë objekte që për nga rëndësia kërkojnë një lloj kase mbrojtëse. Ke veprat e Onufrit, miniatura delikate që i kemi marrë nga Berati dhe Korça, aq delikate sa dhe një prekje e vogël mund t’i dëmtojë. Vijnë nga 500 vjet larg. Prurja në Tiranë po edhe kthimi mbrapsht bëhet nga stafet e galerisë e të muzeve shoqëruar nga Policia e Shtetit. 

Sa për vlerën e një Onufri, ky është një problem kompleks. Ne nuk kemi një metodologji vlerësimi të kësaj trashëgimie. Ne nuk kemi një treg ndërkombëtar pikërisht për këtë emër. Ka autorë të ngjashëm të të njëjtës kohë me Onufrin që sot tregtohen në ankande. Kjo e dhënë shërben si një bazë e rëndësishme deri ku mund të shkojë çmimi për një vepër të kësaj natyre dhe deri ku nuk duhet të shkojë ky çmim. I ekzagjerojmë çmimet nga dëshira për t’i ruajtur? Ka qenë një metodë e përdorur rëndom nga galeritë tona: rritja e çmimit pa asnjë lloj kriteri. 

Për shembull?

Kemi Onufër, madje Onufër Qipriot që janë vlerësuar me 1 milion dollarë. Ka ndodhur në vitet dymijë. Kjo gjë është përcjell edhe tek muzetë e tjerë. 

Përse i përfoluri rivlerësim i çmimeve nuk ka gjetur rehat?

Atëherë pyetja është: çfarë kuptimi ka një çmim për veprën e artit? çfarë çmimi do t’i vendosësh trashëgimisë së këtij lloji kur këto janë koleksione publike, pronë e shtetit? Të gjithë muzetë kanë të inventarizuar fondet e tyre dhe çdo vepër ka një çmim në krah.

Më duket se Muzeu i Artit Mesjetar në Korçë i ka vlerat më të qëndrueshme, por gjen aty edhe vepra të vlerësuar me 200 mijë euro. Për të qenë sa më pranë çmimeve korrekte, është e nevojshme të bëhet një vëzhgim për këtë qëllim.

Ç’thotë për këtë praktika muzeale?

Fondet tona janë rivlerësuar në kohë. Mendoj se ato që duhen riparo nuk janë çmimet, por mekanizimi i vlerësimit të veprave. Çmimi është në fund të fundit dhe marrëveshje,  është edhe kapriço, çmimi është një dëshirë e dikujt për të pasur me çdo kusht një gjë. Këto janë spekulimet e ankandeve. Mënyra se si funksionojnë muzetë nuk ka lidhje me mënyrën se si funksion tregu, çmimi dhe kërkesa. Në këtë pikëpamje ka ardhur nevoja që të rishikohen praktikat tona të punës.

Shpesh shihet si e dhënë skandaloze që një objekt trashëgimi kombëtare të vlerësohet 200 lekë. Për shembull një Mio.

Ato janë çmimet e blerjeve që bënte shteti në një sistem të mëparshëm dhe me ato reflektohen në regjistra. Pyesim: a duhet të rivlerësojmë çmim apo objektin në vetvete? Cili është parimi? Ne kemi rivlerësuar çmimet. Jo, duhet të rivlerësojmë objektin. Edhe ai sistem blinte vepra për arsye thjesht propagandistike, për arsye që shkonin me konceptet dhe idetë e tij për muzetë, duke filluar që nga patllakja e heroit deri tek këmisha e përgjakur e një martiri. Edhe këto kanë vlerë.  

Por debatet për çmimet e veprave të artit në fondet publike, janë kthyer nganjëherë në kor si në rastin e Mios. Mos duhej të pyesnim ndryshe: A i reziston Mio një tregu? Çfarë vlere ka Mio për ne sot? Apo është fabrikim i dëshirës së një sistemi të caktuar, i modelit të artistit në një zonë plotësisht të izoluar të Shqipërisë, një lokalist në vitet ‘40 kur bota kishte kaluar dadaizmin? 

Meqë ekspozita mendohet si pjesë e aktiviteteve për 100 vjetorin e pavarësisë, sa jep qeveria?

Kjo ekspozitë e rrallë e eksponateve më të rralla të trashëgimisë sonë, që do të qëndrojë për dy muaj e hapur, është përballuar plotësisht nga buxheti minor i GKA-së. Zero lekë nga buxheti i 100-vjetorit. Është një ekspozitë që, po të shprehesha me një gjuhë popullore, e ka shkundur Galerinë Kombëtare të Arteve. Kjo do të thotë se edhe një album nuk mund të botohet. Po realizohen ekspozita të mira dhe të vjen keq që nuk ka mundësi dokumentimi. 

Është kjo arsyeja që bëjnë bujë vjedhjet e kishave 

Është krijuar përshtypja se shqiptarët janë njerëz që nuk jetojnë me të shkuarën, jetojnë me të tashmen dhe kjo shpjegon diçka. Nga vitet 93-94 u mor një vendim për t’i magazinuar në institutin e monumenteve dhe jo të gjitha ikonostaset e kishave u çmontuan. Nga vitet 2005 ndodhi një sulm ndaj kishave për të plaçkitur gjithçka. Qëllimi ishte për t’i shitur sepse kisha shumë marramendëse në kokë. Kisha duhej të kishte bërë më shumë. Pothuajse nuk morën asnjë lloj mase. Sot është situata që çfarë ishte për t’u shkatërruar është shkatërruar, çfarë është plaçkitur është plaçkitur dhe disa kisha më afër qyteteve apo shtratit vazhdojnë të ruajnë vlera disa ikonostasë që falë zotit janë ende në këmbë. Mund t’ju përmend kishën në kala të Elbasanit, ikonostas perandorak. Ikonostasi në kishën e shenj kollit me afreske të Selenicës. Fatin më të keq e kanë patur kisha të vogla të izoluara pa akses dhe që kryenin rite fetare po që ishin shpallur monumente kulture të lëna të pambrojtura. Këto ishin kishat që pësuan valën e parë të sulmit ato kanë mbetur bosh dhe afresket kanë mbetur. Po të zbulojnë ndonjë marifet edhe ato do t’ia shkulin.

Ky zë u postua te I pakategorizuar. Faqeruani permalidhjen.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s