Shkopi “i humbur” i Brukselit ndaj Shqipërisë

Arben Manaj – Fyle u dërgoi një letër dinozaurëve të politikës shqiptare dhe pritet që një i dërguar i tij të mbërrijë në Tiranë për të ushtruar presion ndaj Shqipërisë që të zgjedhë presidentin konsensualisht. 

Mesazhet e Brukselit janë dërguar hapur, por edhe në kanale diplomatike edhe më parë, dhe çdo shqiptar, me minimumin e informimit, e di se çfarë duhet të bëjë Tirana në këtë rast. Por duket se ata që e kanë në dorë këtë punë, po sfidojnë Brukselin haptazi.

Kjo që po ngjet këto ditë, për zgjedhjen e presidentit në Tiranë, por edhe këto vitet e fundit politikisht në Shqipëri, ka një ngjashmëri të çuditshme me atë që po ndodh me Greqinë, por për arsye të ndryshme.

Kriza ekonomike në Greqi, pasi Athina mashtroi dhe bënte dinakërira ballkanike me eurokratët ekonomikë të Brukselit, në një kohë kur këta të fundit, bënin sikur nuk e dinin se ç’kishte brenda barkut të Kalit të Trojës. Aq sa sot jemi në prag të asaj që në zhargonin politik po quhet Grexit ose dalja e Greqisë nga euro.

Ndërkohë në një “Albexit” potencial, paralelja politike e saj, ka vite që po luhet me Shqipërinë, ku një klasë e përkëdhelur politike dhe malinje deri në pashpirtësi “prej të nginjuri” me hallet e njerëzve të thjeshtë, bën sikur integron vendin në Bruksel, ndërkohë që kryeqyteti burokratik dhe institucional i Europës, ka halle të tjera mbijetese dhe bën sikur merret me “trazovaçët e Tiranës”.

E gjitha kjo ndodh në një kohë kur BE-ja dhe monedha e saj, sipas mendimeve të specializuara kanë muaj dhe jo vite në dispozicion, për të pastruar shtëpinë dhe s’kanë ndërmend të shtojnë qiraxhinjtë e rinj, që nuk i hyjnë në punë as dreqit në ditët më të mira e jo më sot.

Shumëkush, me të drejtë shtyhet drejt të pyeturit: vërtet qenkan kaq të pafuqishëm Fyle apo Ashton t’i bëjnë presion Tiranës politike, zyrtare dhe asaj opozitare, që të sillen si europianë politikisht?

E nëse ky Bruksel nuk ushtroka dot presion dhe nuk vika dot në zap aspirantët, si mund të mbajë në radhë, nesër dej, kandidatët apo “kollovarët e Ballkanit” në Brukselin e nesërm?

Për asnjë milion vjet nuk do ta besoja pafuqinë politike të Europës, apo siç quhen rëndom ndërkombëtarët. Ose ata atje në Bruksel bëjnë sikur merren me Tiranën, pasi aktualisht po u dridhet toka nën këmbë nga shembulli grek apo spanjoll me euron. Ose ata e kanë Tiranën dhe zgjidhjen e problemeve të tyre, si ai guri i pathyeshëm në një skeç të Estradës së Lushnjës në vitet e komunizmit.

Nëse doni, ju në Bruksel apo Uashington, mund të përcaktoni vijën e kuqe, që s’duhet ta kalojë Tirana, nëse realisht do që ajo të bashkohet me familjen europiane.

Sfida është tashmë edhe për ju në Bruksel dhe qendrat e tjera të mëdha të vendimmarrjeve politike, pasi ju po sfidoheni haptazi nga nazet e Tiranës politike. Bëjeni nëse nuk doni të bëheni qesharakë dhe të keni dinjitet dhe ndikim sot dhe nesër te demokracitë e reja aspiruese.

E keni edhe për detyrë ndaj tolerimit që u keni bërë sjelljeve të shkuara politike të Tiranës.

Është e panevojshme t’ua kujtoj unë, se nuk shkelni sovranitetin nëse diktoni, pasi në momentin që ka filluar rruga drejt Europës, ky sovranitet është deleguar te ju.

Bëjeni edhe për të mbajtur optimizmin në idenë e një Europe që ia vlen të aspirohet, edhe pse shumë vende që janë më afër Shqipërisë me Brukselin zyrtar, tashmë kanë filluar të divorcohen me idenë e hyrjes në BE.

Nëse e keni seriozisht dhe ju dhimbset Shqipëria europiane dhe jeni të bindur se duhet bërë ajo që kërkoni të bëjë Tirana, bëjeni qartë dhe pa ekuivokë.

Nëse, eventualisht, nuk ju dëgjojnë, atëherë as juve nuk ju duhet një Shqipëri pseudopotente dhe njëherazi, një Bruksel impotent, nuk i duhet Shqipërisë, fatkeqësisht!

Gazeta ‘Shqip’ 

Ky zë u postua te RAJONI/BOTA. Faqeruani permalidhjen.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s