Rifeudalizimi i politikës

Sidomos dy vitet e fundit, por edhe më parë, çështjet politike kanë ardhur duke u personalizuar, dhe jo vetëm ato.

Çfarë do të thotë në këtë rast “personalizim”? Më së pari, që konfrontimi politik është përqendruar gjithnjë e më shumë si një ballafaqim folës, por edhe realisht, i dy liderëve të partive politike më të mëdha të vendit, Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste. Pastaj, në një rrafsh të dytë, që fushatat, qëndrimet, direktivat që shkojnë nga lidershipi politik drejt shoqërisë dhe elektoratit parashutohen direkt nga majat partiake, nga drejtuesit kryesorë, te baza e saj. Dhe së treti, funksioni i institucioneve është zhvendosur drejt hapësirave joinstitucionale sikurse janë manifestimet, protestat, mitingjet, mediat, rrjetet sociale, etj. Pra, kryhet një lloj afishimi i politikës si një marrëdhënieve e parregulluar institucionalisht, por më shumë si një ballafaqim forcash dhe mjetesh njerëzore në planin fizik, mediatik etj.

Përse ndodh kështu?

Ndofta përgjigjet mund të ishin të ndryshme, por ajo që ka vend të theksohet qysh në fillim është se në një farë mënyre kështu krijohet një vështirësi e dyfishtë për shoqërinë dhe institucionet e saj. Nga njëra anë funksionimi i tyre personalizohet dhe nga ana tjetër, meqë lufta politike përqendrohet në dy ose pak më shumë figura politike, shoqëria gjendet në riskun e destabilizimit sepse nuk krijon dot asnjë pritshmëri, asnjë parashikueshmëri, me një fjalë është shumë ë vështirë për qytetarin që të njohë rregullat e lojës politike si edhe, fundja, të jetë i mbrojtur edhe nga politika nëpërmjet institucioneve të shtetit të së drejtës. Kulmin e vet përgjatë këtyre njëzet viteve të tranzicionit ky personalizim i politikës e arriti ditën e 21 janarit, kjo ditë tragjike dhe fatale, e cila përfundoi më keq se aq nuk ka ku të shkojë. Kam bindjen se fakti që kemi institucione relativisht me një autonomi të dobët në raport me liderët politikë dhe se politika në vend të jetë më tepër një ballafaqim idesh, ka qenë një ballafaqim njerëzish nëpër sheshe e bulevarde, nuk është e rastit.

Lidhur me këtë do të shqyrtoj tre faktorë që duken shumë themelorë, të cilët duke zëvendësuar institucionet me marrëdhënie personale në nivel liderësh politikë apo manifestuesish në rrugë, krijojnë ndjesi paqëndrueshmërie te qytetarët. Faktori i parë ka të bëjë me atë se përgjithësisht jeta politike është përqendruar te liderët politikë kryesorë.

Janë bërë një serë ndryshimesh politike apo ligjore, të cilat për mirë apo për keq, secili ta gjykojë, kanë sjellë që “frenat” e jetës politike të shkojnë drejt kontrollit personal. Këtu çon edhe prirja për të shkuar butë apo fort drejt atij që quhet zgjedhje e kryetarëve të partive sipas modelit “një anëtar një votë”. Është për t’u parë se çfarë specifikash ka ky parim në botën anglosaksone, nuk mund të themi gjë hëpërhë, porse në vendin tonë kjo ka sjellë, një lloj rënie të fuqisë dhe vlerës të instancave politike ndërmjetëse, drejtuese në rang lokal apo qendror,për shkak të një lidhjeje direkte mes liderit politik dhe bazës elektorale të partisë së tij.

Mbi instancat partiake ku supozohet se duhet të qëndronin elitat partiake, doli gjasme anëtari i thjeshtë i partisë, i cili dihet se çfarë zëri ka dhe sa i qëndrueshëm është në interesin e tij për çështjet politike dhe organizative.

Gjithandej, nga të dy palët politike janë ngritur vërejtje dhe ankesa për mosfunksionim të instancave të zgjedhura partiake. Mirëpo kjo nuk është e rastit. Pak nga pak edhe deputeti duke u kaluar në sistemin zgjedhor proporcional rajonal e ka humbur autonominë e tij nga aparatet politike të partisë, pra nga lideri politik. Në fakt më tepër votohet partia sesa individi. Askush nga deputetët nuk e di se çfarë peshe ka në elektorat personalisht, kurse për peshën elektorale të partisë, pra të liderit të tij askush nuk besoj se ka dyshim se ajo është e matur qartë nga sistemet zgjedhore të vendosura në fuqi.

Kur dëgjohen ankesa se instancat drejtuese politike të partive nuk funksionojnë, menjëherë mendja shkon te Tokëvili, i cili argumentonte dy shekuj më parë se asgjë nuk ndodh rastësisht në politikë. Një organ politik i ngjan një organi trupor, ai atrofizohet, kur nuk kryen ndonjë funksion. Si me instanca partiake si pa instanca partiake, sa kohë që ato nuk kanë autonominë e veprimit, asgjë nuk ndryshon. Çfarë i duhen liderit politik anëtarët e instancave politike kur ai mesazhin në shoqërinë e komunikimit e dërgon drejt te masa e elektoratit nëpërmjet mediave? Direkt, nga zyra në selinë e partisë te kanapeja ku qëndron para televizorit votuesi. Politika është kthyer si një lojë elektronike fiktive.

Një kolegia ime në Korçë më thoshte para dy javësh se grupi i miqve të saj kishin disa ditë që ishin shumë të shqetësuar meqë ferma e tyre orizore në Tajlandë ishte në rrezik për shkak të një furtune e tajfuni të paparë. Hapa sytë dhe e pyeta: Çfarë? Por, ajo me ironi m’u përgjigj: Mos u bëj merak, është fiktive, ne luajmë në grup në Internet, ferma është krejtësisht imagjinare, përpjekjet tona janë krejtësisht virtuale, por shqetësimin na e japin realisht. Ne jemi të pasionuar realisht pas objektivave dhe praktikave fiktive të ndryshimit të botës apo të veprimit në këtë botë. Unë kam përshtypjen se një fushatë elektorale mund të provohet se bëhet me sukses vetëm me dy kamera dhe miliona televizorë. Bile edhe votimi mund të bëhet nga shtëpia me celular pa pasur më nevojë as për komisione dhe komisionerë që në momente krizash më shumë duket se ngatërrojnë punë sesa rregullojnë. 

Faktori i dytë lidhet me faktin se ka si gjithandej në demokracitë bashkëkohore një mbivendosje dhe një konfuzion të pashkokolepsur mirë mes rrafshit politik dhe rrafshit shtetëror të institucioneve. Të gjitha institucionet shtetërore, ekzekutuese, gjyqësore, instancat e ndryshme, deri edhe te këshilli drejtues i radiotelevizionit publik, dalin pas një votimi katërcipërisht politik në Kuvend. Si të shpresohet që ndikimi dhe presioni dhe influencat politike të mos jenë të mëdha në këto institucione kur ato zgjidhen politikisht? Ka mënyra të tjera për të bërë që edhe të zgjedhurit e popullit ta ushtrojnë pushtetin e tyre, por edhe që instancat e shtetit të mos politizohen. Kështu ndodh një proces ridelegimi i pushteteve. Instanca   të ndryshme shtetërore e marrin legjitimitetin nga Kuvendi. Kuvendi nga deputetët e tij. Deputetët nga partitë dhe partitë nga lidershipi i majës më të lartë. Gjithçka rrjedh nga baza drejt majës, gjithçka ikën nga institucionet dhe orientohet drejt marrëdhënieve personale.

Në radhë të tretë, jetojmë në një shoqëri ku mjetet e komunikimit kanë eliminuar virtualisht dhe realisht distancat.

Sigurisht është e drejta legjitime e të gjithëve të gëzohen për këtë. Sidomos për një brez që distancat kanë qenë gjithmonë shumë të lodhshme. Majë një kamioni do të duheshin dhjetëra orë për të ardhur nga një zonë kufitare në Tiranë. Po aq për t’u kthyer mbrapsht. Por tani duket se gjithmonë e më shumë të gjithë shqiptarët nga Prishtina, Shkupi, Athina, Bari etj. jetojnë në fakt në Tiranë. Më parë nëse dikush mendonte të vinte për një miting në Tiranë, dhjetë orë për të ardhur nga fshati i vet dhe dhjetë orë për të shkuar përsëri atje, njëzet orë, pa llogaritur orë të tjera të harxhuara gjatë rrugës, vështirë se pas një pranie do të kishte dëshirë për një herë të dytë. Kurse tani nuk është problem fare. Korçari, kuksiani, vlonjati etj., ardhjen në Tiranë për një koncert, një ndeshje futbolli, një miting, një protestë, etj. nuk e kanë të vështirë me rrugët me cilësi, me makinat e nivele të kënaqshme. Për dy orë shkon në Tiranë, merr pjesë në një koncert a miting, në një protestë a demonstratë dhe pas dy orësh ndodhesh përsëri në vendlindje.

Po aq distancat i kanë shterur edhe mediat e reja, interneti, rrjetet sociale, televizori sikurse thamë më parë. Një liri e paparë njerëzore në komunikim. Një lidhje e re shoqërore e vendosur. Një botë e re. Një shoqëri që nuk është parë asnjëherë në të kaluarën.

Por, prit! Asnjë model shoqëror dhe komunikimi nuk ka ardhur në histori pa anën e veta të diskutueshme.

Teknologjia e komunikimit që nga rrugët reale deri te rrugët virtuale, duke shkurtuar distancat, e ka nxjerrë disi jashtë loje demokracinë lokale, jetën lokale, zgjidhjet lokale, duke e shndërruar kombin, gadishullin, planetin (shkruante Mc Lluhan) në një fshat “të vogël” global. Sa mirë! Patjetër. Vetëm kujdes! Nuk është e rastit që edhe për konfliktin lidhur me rezultatin e zgjedhjeve për postin e kryetarit të bashkisë të Tiranës protestuesit vijnë nga rrethe të ndryshme. Është një mendësi që ndryshon pikërisht në një shoqëri ku distancat thyhen, ku barrierat hiqen, ku hapësirat ngushtohen për shkak të shpejtësisë së komunikimit.

Të gjithëve iu duket se jetojnë në Tiranë.

Duket se Shqipëria ka vetëm një bashki të madhe, atë të Tiranës. Ka një qeveri dhe një bashki të madhe që mbivendosen mbi njëra-tjetrën. Sikurse thotë një nga mendimtarët evropianë të sotëm, ndodh një proces rifeudalizimi i shoqërisë.

Mos e marri njeri si një epitet pezhorativ. Nuk e ka thënë në atë kontekst aspak. Por, në çfarë konteksti atëherë?

Në kuptimin që si dikur në kohët e Mesjetës evropiane, jo aq e errët sikurse e kemi mësuar në tekstet e historisë të disa brezave (nuk e kam idenë sesi mësohet tani), institucionet ishin të dobëta, kurse lidhjet dhe ndikimet personale ishin të fuqishme. Institucione të dobëta dhe individë të fortë. Një lidhje direkte e fisnikut me vasalët (fjala vasal në Mesjetë ka kuptim neutral), lidhja e tyre është personale dhe nuk ka nevojë për institucione. Edhe betejat shpesh bëheshin si një dyluftim prijësisht pa futur në lojë radhët që prisnin të mbaronte beteja për të parë se çfarë do të bëhej. Sikurse pret qytetari tani.

Shekulli i nëntëmbëdhjetë dhe i njëzetë është ai i burokracisë, pra, përtej vendeve totalitare, i një demokracie që kalonte nëpërmjet përfaqësimi, rangjeve. Institucionet dhe aparatet burokratike të partive të shtetit dhe të partive janë të fuqishme. Lidhje personale është e dobët. Demokracia e këtyre shekujve kërkon të administrojë një sistem politik hierarkik. Me shumë të meta ky model, por ama që përpiqej për më shumë stabilitet dhe qëndrueshmëri. Pak edhe falso.

Kurse tani kemi ardhur në kushte të reja. A mund t’i rezistojë dot më demokracia përfaqësuese një komunikimi të drejtpërdrejtë mes individëve, mes individëve drejtues dhe turmave të elektoratit dhe të militantëve? Nuk është bërë paksa falso ideja e delegimit të pushteteve nëpërmjet përfaqësimit.

Cili është në fakt roli i vërtetë i deputetit? Komunikimi politik nga maja në bazë është bërë direkt, i menjëhershëm, kurse format e organizimit politik kanë mbetur deleguese, me të zgjedhur, me instanca, etj. Pastaj habitemi se përse ato nuk funksionojnë. Puna qëndron që duhet parë në sy problemi. Në dy rrafshet e tij. Së pari, si të ndërtohet realisht jeta politike në përputhje me format e reja të komunikimit. Së dyti, si të bëhet që ana funksionale e demokracisë lokale, disa mure funksionale institucionesh, disa forma të ndërmjetme të kenë jetë në fushën e vendimmarrjes dhe të shprehjes të vullnetit politik sepse përndryshe ne do të ndodhemi në atë gjendje që tanimë e kemi shpikur kolektivisht: Çështjet politike do të zgjidhen gjithnjë e më shumë në bulevardin kryesor të kombit midis militantëve të ardhur nga të gjithë anët e vendit. Vendimet politike do të jenë gjithnjë e më shumë në varësi të psikologjisë dhe të këndvështrimeve personale të lidershipit më të lartë politik. Ndërkohë që, shoqëria do të ndodhet gjithnjë e më tepër përballë sfidës të paqëndrueshmërisë.

Politika sikurse ekonomia, thoshte, ai tjetri, po rifeudalizohet. Mos e merrni për keq, ju lutem. Është një metaforë që tregon se jemi në kushtet kur institucionet janë të dobëta, pa atë veprimin e tyre të avashtë normativ, por ama stabël strukturor. Kemi individë të fortë në lidership, sigurisht që në vullnetin e tyre janë të paparashikueshëm. Pa barriera që t’i përmbajnë. Pa zona të kufizuara që derdhjen e vullnetit politik ta bëjnë të fragmentuar, zonë pas zone, hap pas hapi, çka do e kërkonte inxhinieria sociale dhe politike. E mira dhe keqja përhapen në çast, gjithandej, sekonda nuk i ngjan sekondës. Ja përse në mjediset qytetare ka ankth kolektiv. Qytetari jeton në një shoqëri, mbi të cilën nuk ka asnjë kontroll.

Prof.Dr.Artan Fuga.

Ky zë u postua te POLITIKE. Faqeruani permalidhjen.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s