PO PËR ÇFARË NA SHËRBEN NE SHQIPTARËVE LIBERALIZIMI I VIZAVE?

Desha ta merrja në një aspekt më të thellë këtë çështje sepse populli shqiptar nuk përfaqësohet nga 1 mijë apo 2 mijë  persona që janë gazetarë, intelektualë apo biznesmenë që mund të marrin ndoshta lehtë një vizë. Por nga një popull i thjeshte dhe i vuajtur, që jeton në një varfëri të tejskajshme në zona të ndryshme, ku e vetmja zgjidhje për të mbijetuar dhe mbajtur familjen, ka qënë dhe është emigracioni. Liberalizimi i vizave do ti ndihmonte të shkonin si njerëz në Europë e jo si kafshë të futur nëpër frigoriferë trailerash ose në kontenierë mallrash “TIR”, që ndonjëherë dalin edhe të pajetë të ngrirë prej tyre.

Me liberalizimin e vizave do të ndodhte rritja e mirëqënies ekonomike e gjithë vendit në përgjithësi, rritja e nivelit të jetesës për të gjithë shqiptarët në tërësi dhe jo veç për ata që do të emigronin. Sa e sa njerëz janë vrarë rrugëve dhe kufinjve të kurbetit? Sa gomone jane mbytur? Sa të tjerë janë mbytur në detet Adiriatik e Jon dhe jo vetëm? Sa e sa të tjerë nuk janë bërë të gjallë akoma këtu e 19 vjet të shkuara, çdo vit i të cilave është lyer me gjakun e të të humburve dhe të vrarëve kufinjve. Sa e sa femijë sot jetojnë jetimë për shkak të humbjes së babait ose nënës në emigracion. A do të ishin jetimë sot këta fëmijë vallë nëse do të kishim liri lëvizjeje? Trafiku i qënieve njerëzore do të reduktohej në masë. Me liberalizimin e vizave të gjithë emigrantët do të rregjistroheshin, e do të shkonin si njerëz në emigracion. Ata do të ishin më të kontrolluar nga ana e qeverive që ata jetonin dhe punonin atje dhe nuk do të kishte kaq probleme se kanë pasur. Askush nuk shkon për qejf rrugëve të botës duke fjetur nëpër skurre, lulishte, bodrume  e gabina pompash nëpër parcelat e të huajve. Liberalizimi është si të thuash një simbioze midis emigrantëve  dhe shtetit ku do të vendosen. Nuk do të kishte humbje jetësh, nuk do të kishte të humbur, nuk do të kishte jetimë, nuk do të kishte vjedhje, dhunime, trafiqe femrash, vrasje etj. Dhe të gjitha këto nuk do të kishin ndodhur nëse ne do të kishim patur viza që në vitin 1991. Plagët e mëdha që i janë shkaktuar Shqiperisë nga vdekjet e emigarntëve kufijve nuk harrohen lehtë. Këto disfata nuk do të kishin ndodhur për shkak të rritjes së mirqënies së popullsisë tonë.

Populli ynë është një popull me tradita dhe një kulturë të pasur dhe një popull që pershtatet lehtë me të huajt. Nuk është shqiptar i vërtetë ai prototipi i kronikave të zeza që shohim rëndom nëpër TV, shqiptari i vërtetë është një njeri punëtor dhe i dashur me familjen dhe shoqerinë. Tek e fundit çdo vend ka kriminelë, mafia, probleme korrupsioni etj. Duket sikur ne jemi të burgosur brenda Europës. Burgu më i vjetër i Europës jemi ne!

Me liberalizimin e vizave do të shtohen investitorët dhe investimet e huaja në vendin tonë, gjithashtu dhe puna këtu. Do të zhvllohet më tej turizmi në bregdetet tona fantastike dhe në zonat malore. Studentët tanë do lëvizin me lirshëm nëpër Europë, nëpër universitetet e saj dhe nëpër muzeumët dhe vendet antike të saj. Do specializohen dhe do punojnë për  shtetet qe do i mbajnë si studentët më të mirë. Ku janë të drejtat e njeriut këtu? Jam pak skeptik për këtë pyetje?! Hyrja në Europë është një ëndërr në sirtar për të gjithë shqipëtarët. Nëse do të mendonim se me hyrjen në Europë shqiptarët do të dyndeshin dyerve të saj do te gabonim rëndë, sepse ne që sot kemi viza të lira në disa shtete që kanë ekonomi më të mirë se ne. Ne nuk kemi  shkuar  me shumicë aty por veç një normale emigrantësh, edhe pse jeta aty është më e mirë. Integrimi në Europë i shqiptarëve do të bëhet shumë lehtë mendoj unë. Shumë ambasadorë të huaj marrin një rrogë shtesë për punën që bëjnë në Shqipëri sepse pretendohet se është një nga vendet me rrezikshmëri të lartë!? Kjo ide është absurde sepse shumë të huaj jetojnë në Shqipëri dhe respektohen më mirë se vetë shtëtasit tanë. Pra nuk është kjo e vërteta. Nami që i kanë ngjitur Shqipërisë eshtë fals sepse këtu jetojnë shumë shtetas të huaj dhe ia kalojnë mirë me ne shqiptarët. Mjegulla e tij (namit të keq) po shpërbëhet me lindjen e diellit shqiptar!

Eh… shqiptarët e mjerë! Të ndarë e të përcarë prej brezash por që nuk janë thyer kurrën e kurrës. 500 vjet të pushtuar nga Turqit, “Kështjellën e sintaksës” dhe traditat e zakonet nuk i lëshuan as për më të shtrenjtin thesar (jetën)! Ata sot kanë adoptuar edhe kulturat perëndimore sepse pothuajse çdo familje shqiptare ka 1-2  pjestarë  të saj jashtë vendit. Shqiptarët do ti tregojnë vlerat e tyre të vërteta aty ku do jetojnë dhe punojnë sepse janë një popull me norma dhe rregulla. Midis shumë peripecive që ka kaluar vendi ynë është  e vështirë të thuhet se shqiptarët janë mposhtur. Ata kanë ruajtur gjuhën, zakonet, traditen, virtytet dhe çka është goxha e rëndësishme, ritualet dhe harmoninë fetare etj.

E them me plot gojë se kush e ka njohur një shqiptar të vërtetë dhe patriot, ka kuptuar se kush janë shqiptarët. Ata janë një pupull i vogël më një zemër të madhe. Shqiptaret janë më të ngrohtë me familjen, me shoqerinë dhe me komshinjtë. Kjo gjë nuk vihet re në popujt peëndimorë të cilët e shohin komshiun përtej gardhit dhe nuk i flasin ose nuk kanë afrimitet shoqëror. Unë kam qënë emigrant ne Greqi dhe e di se çfarë vlere do kishte viza për mua. Njeriu që kalon kufirin me vizë ka një identitet, shkon si njeri, jeton me i qetë se një njeri pa dokumenta. Në qoftë se do flasim për demokraci shoqerore, liri veprimi, të drejtat themelore të njeriut, atëherë e kuptojmë lehtë se çfarë vlere ka liberalizimi i vizave.

Rastet e sëmundjeve të rënda janë të shumta të cilat duhen kururar jashtë vendit. Shumë njerëz kanë vdekur për shkak se nuk i’u mundëson dot shteti një vizë ose nuk kanë pasur lek ta blejnë atë. A nuk është e dhimbshme kjo? Të vdesësh për një vizë? A ndodh kjo gjë në Europë? Ne jemi ndoshta populli më fatkeq e më i vuajtur i Europës. I vetmi popull qe ka parë punën e vet dhe nuk ka marrë ndonjëherë fushata pushtuese për të zgjeruar territorin e tij. I vetmi vend që është përçarë copash midis shteteve fqinje. I vetmi vend që ka trojet e tij jashtë kufijve të sotëm realë. I vetmi vend i penalizuar nga Fuqite e Medha në 1913, duke lënë territore të tëra jashtë kufinjve të tij. Po nejse, të shohim të ardhmen o njërëz! A ia vlen për ne shqiptarët të zbatojme sot ligjet e “ACQUIS” me 35 kapituj dhe 80 mije faqe? Sigurisht që Po!!! Edhe dyfish të ishin!!! Së shpejti ngjyra e territorit të Shqipërisë do bëhet e njëjtë me atë të Europës!

MARIGLEN GJIKA

BERAT 05.03.2010

Advertisements
Ky zë u postua te POLITIKE, SOCIALE. Faqeruani permalidhjen.

Një Përgjigje te PO PËR ÇFARË NA SHËRBEN NE SHQIPTARËVE LIBERALIZIMI I VIZAVE?

  1. mariglengjika thotë:

    KETE ESE E KAM DERGUAR NE NJE KONKURS NE FRANCE PARA CA KOHESH.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

w

Po lidhet me %s